Kryeministri Edi Rama ka njoftuar masa të reja për përmirësimin e trajtimit financiar të Forcave të Armatosura, gjatë një komunikimi përmes podkastit “Flasim”.

Rama bëri të ditur se me miratimin e buxhetit të vitit 2026, qeveria ka rritur fondet për mbrojtjen me afro 12% krahasuar me një vit më parë, në kuadër të angazhimeve ndaj NATO-s dhe për të garantuar trajtim më dinjitoz për ushtarakët.

“Kur miratuam buxhetin e vitit 2026, vendosëm t’i japim mbrojtjes afro 12% më shumë fonde sesa viti i mëparshëm… por edhe për t’i qëndruar zotimit për një trajtim gjithnjë e më dinjitoz të forcave tona të armatosura,” u shpreh ai.

Sipas kreu të qeverisë, në fund të shkurtit është vendosur edhe rritja e pagave për ushtarakët, me efekt të drejtpërdrejtë që nga janari, ndërsa në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar edhe mbulimi i kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv.

“Ky është një hap i shumëpritur dhe i mirëpritur nga të gjithë ata, që nën uniformën e Forcave tona të Armatosura i shërbejnë vendit në çdo front,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se synimi i qeverisë është që deri në fund të mandatit, pagat e ushtarakëve në Shqipëri të jenë konkurruese dhe në nivelin mesatar të vendeve të NATO-s.

Ai shtoi se objektivi konkret është që paga e ushtarit bazë në Republikën e Shqipërisë të rritet deri në 70%.

“E thënë ndryshe deri në fund të këtij mandati… paga e ushtarit bazë në Republikën e Shqipërisë të rritet me deri në 70 %,” përfundoi Rama.