Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se kryeministri Edi Rama ka vjedhur 90 përqind të 67 miliardë eurove. Gjatë fjalës së tij në protestën e mbajtur para Kryeministrisë, Berisha u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend në botë që në një hark kohor 7-vjeçar ka shpenzuar 400 milionë euro për djegësin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.

Kryedemokrati tha se AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës, në të cilin baxhanaku i tij ka fituar me dhjetëra tendera. Në fund, Berisha tha se moti i keq shembi rrugët e “florinjta”, kurse rrugët e ndërtuara në kohën kur ai ishte në pushtet nuk lëvizën.

“Të dashur miq, këto ditë Shqipëria është e ngërthyer e tëra në një debat për tunelin e Llogarasë, në të cilin kanë vjedhur minimumi 50 milionë euro, e vërteta është 90-97. Por kjo shumë, çdo shqiptar duhet ta dijë se është shumë më pak se një e qindta apo një e dyqindta e atyre që kanë vjedhur këta hajdutë të pafytyrë. Miq, jemi i vetmi vend në botë që në një hark kohor 7-vjeçar janë shpenzuar 400 milionë euro për djegësin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. Asnjë prej tyre sot nuk ekziston. I Tiranës nuk ka një tullë sepse paratë i ka vjedhur Edi Rama me Erion Veliajn. AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës, në të cilin baxhanaku i tij ka fituar me dhjetëra e dhjetëra tendera. Çfarë i ka ndodhur atij? E kemi denoncuar me dhjetëra herë, asnjë gjë, përkundrazi vazhdon të vjedhë taksat tuaja. Unaza e Madhe e Tiranës këto ditë mediat kanë publikuar lotin 4.

A e dini ju miq si loti 4 janë 14 lote, me të cilat Lubi Balluku me Edi Ramën e rritën kostot e ndërtimit të unazës në 450 milionë euro. Më falni, unaza nga TEG tek Teknologjikja është ndërtuar para vitit 2013. Cila ka qenë kostoja me të gjitha ato vepra arti që ka, shkoni dhe shiheni, kostoja ka qenë 3.8 milionë euro. Cila është kostoja e kilometrit sot? 20-22 milionë euro kilometri dhe jo vetëm loti 4, por çdo lot. A ka njeri në botë që mund të imagjinojë se një njeri e ndan 13 kilometra rrugë në 14 lote, si e si të vjedhë më shumë. Sigurisht këto ditë ishin mote të mëdha, të pamohueshme. Pa pyesni pak, pse nuk lëvizën skarpatet në Gjirokastër-Tepelenë? Në rrafshin gjeologjik, ajo është skarpata më e rrezikshme. Këto ditë pati mote të mëdha, pse nuk lëvizi skarpata e Rrugës së Kombit? E dini vetë si janë skarpatat e tij. Pse nuk lëvizi skarpata e rrugës Fratar-Memaliaj. Shkoni dhe e shihni si janë. Kurse rrugët e Lubisë dhe të Ramës u shembën njëra pas tjetrës. Po, miqtë e mi, se kur ndërtohet rruga, pjesa e madhe e investimit shkon me ngurtësimin, me mbrojtjen nga skarpata.

Skarpata është pjesë edhe më e rëndësishme se vetë rruga. Urdhëro se çfarë ndodh tani. Dhe ndodh pasi kanë katërfishuar çmimet. Të vjen ndonjëherë, duket sikur një kafe 50 milionëshi i tunelit të Llogarasë. Vetëm një gjë për secilin prej jush, por edhe për çdo shqiptar kudo që është, i rikujtoj këtu se në 12 vite, Edi Rama me Lubi Ballukun kanë administruar taksat tuaja, 67 miliardë euro. Në 8 vite, kemi administruar 28 miliardë euro, sepse ne kishim gjysmën e taksave, besonim dhe besojmë se qeveria duhet të marrë minimumin nga qytetarët. 67 miliardë euro, krahasojini me 28 miliardë. U dyfishuan rroga dhe pensione. U ndërtuan rrugë të paktën 13 herë më shumë se në 12 vitet e tyre. Merrni pak, nga Hani i Hotit në Kakavijë akset dhe çdo drejtim. U rindërtuan 1 mijë e sa shkolla dhe kopshte. Një numër i konsiderueshëm spitalesh. Me ato para. Po me 67 miliardë çfarë është ndërtuar? Me 67 miliardë, e ka thënë Banka Botërore, e ka thënë Komisioni i Lartë i Shtetit, janë vjedhur të paktën 90 përqind e tyre. Nuk ka popull në botë më të vjedhur. Është kushtrim për çdo shqiptar.” tha Berisha.