Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Fier, ku po zhvillon një takim me drejtues vendorë dhe deputetë të qarkut, në kuadër të fushatës kombëtare për lirimin dhe sistemimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Kjo vizitë pason inspektimet e mëparshme të Ramës në qytetin e Vlorës, ku kanë nisur tashmë ndërhyrjet për çlirimin e hapësirave të bllokuara.

Gjatë takimit në Fier, pritet të diskutohen hapat konkretë për zbatimin e masave në nivel lokal, ndërsa kryeministri ka nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë me pushtetin vendor për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Aksioni do të vijojë në javët në vijim edhe në qytete të tjera të vendit.