Kryeministri Edi Rama vijoi këtë të shtunë takimet me strukturat e Partisë Socialiste, një ditë pas mbledhjes me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve.

Këtë herë, fokusi kaloi te Tirana. Për rreth katër orë, Rama mblodhi të deleguarit politikë dhe deputetët e qarkut, me në qendër organizimin e punës në kryeqytet dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Peshë të veçantë mori Bashkia e Tiranës, për shkak të rëndësisë së saj politike dhe elektorale. Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, Erion Veliaj kishte tërhequr delegimin e kompetencave për Anuela Ristanin, duke e argumentuar vendimin me refuzimin e saj për të zbatuar urdhrat e tij.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe “Besa” dhe “Prania Besnike”. Porosia e Ramës ishte që strukturat socialiste të shtojnë praninë në terren, të komunikojnë drejtpërdrejt me qytetarët dhe të evidentojnë problematikat e çdo zone.

Për këtë, deputetët, kryetarët e bashkive dhe strukturat e PS-së do të hartojnë një axhendë takimesh me qytetarët, ndërsa shqetësimet e mbledhura në terren do t’u përcillen ministrive përgjegjëse për ndjekje deri në zgjidhje.

Pas mbledhjes, Rama publikoi edhe në Facebook pamje nga takimi, duke bërë të ditur se diskutimet u përqendruan te “Prania Besnike”, metodologjia e “Besës” dhe sistemi i ri “Pasqyrë Albania”, si pjesë e përgatitjeve të Partisë Socialiste për sezonin e ri politik.