Kryeministri Edi Rama ka përfunduar takimin me krerët e bashkive, duke dhënë udhëzimet dhe prioritetet për çështjet e diskutuara.
“Çfarë folëm, të gjitha këto punë t’i bëjmë sa më mirë dhe sa më shpejt”, u shpreh Rama gjatë përfundimit të takimit.
Ai theksoi rëndësinë e përmirësimit të sistemit të mbledhjes së mbeturinave, veçanërisht në zonat jourbane dhe gjatë sezonit turistik. Kryeministri nënvizoi krijimin e një task-force midis qeverisë dhe pushtetit vendor, e cila do të udhëhiqet nga Ministria e Mjedisit dhe e Pushtetit Vendor, për të koordinuar veprimet nga sensibilizimi deri te ndërhyrjet konkrete.
Po ashtu, Rama bëri me dije se po përgatitet një ndryshim ligjor i rëndësishëm për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, duke bashkuar tre struktura ekzistuese dhe duke i dhënë prioritet strehimit, përmes projekteve të veçanta të qeverisë.
Kryeministri përmendi gjithashtu bashkëpunimin me Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Mbrojtjes për të krijuar një “urë bashkëpunimi”, duke përfshirë edhe infrastrukturën mbrojtëse, si hidrovoret, për të mbrojtur tokat dhe banesat nga përmbytjet dhe për të siguruar funksionimin e sistemit të mbrojtjes.
Ai kërkoi nga kryebashkiakët të përcjellin analizën e pikat e dobëta të sistemit te ministri i Pushtetit Vendor, për të kanalizuar më mirë financimet dhe për të rritur ndërhyrjet prioritare, duke përfshirë edhe kapacitetet e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Këto punë që folëm t’i bëjmë të gjitha dhe sa më mirë’, u tha Rama kryebashkiakëve.
Ndër të tjera kreu i qeverisë tha: “Jemi duke punuar dhe riparuar sistemin e mbledhjes së mbeturinave. Flas për mbeturinat që janë problem, sidomos në sezonin turistik, në zona që nuk janë urbane. Është e domosdoshme të ngrihet një task forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, gjë që është ngarkuar ministri i Mjedisit dhe Pushtetit Vendor, nga sensibilizimi te hapat që duhen marrë.
Ndërkohë që ne po bëjmë gati një ndryshim të rëndësishëm ligjor sa i përket planifikimit dhe zhvillimit të territorit. Sot kemi tre struktura, që do të bashkohen bashkë sepse duhet t’i japim rëndësi strehimit. Për këtë po punojmë me disa projekte të veçanta, sic jemi zotuar.
Me Ministrinë e Bujqësisë dhe të Mbrojtjes kemi diskutuar lidhur me krijimin e një ure bashkëpunimi. Kam parasysh edhe infrastrukturën mbrojtëse, hidrovoret që janë themelore për të mbrojtur tokat dhe shtëpitë nga përmbytjet dhe për të siguruar mirëfunksionimin e këtij sistemi.
Këtu kemi nevojë për ju; na duhet dhe do të duhet t’i përcillni ministrit të Pushtetit Vendosr analizën për pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes. Duke pasur një format për pikat e dobëta dhe prioritetet, na ndihmon të kanalizojmë financimet për ndërhyrje që do të rriten në mënyrë të ndjeshme, duke futur në punë edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Kemi bërë plan për të rritur kapacitetet e brendshme.”, tha kryeministri Rama.
