Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria ka marrë një ftesë zyrtare për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Në një reagim publik, Rama e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik për vendin, duke theksuar se ftesa përbën një dëshmi të qartë të rritjes së rolit, besueshmërisë dhe respektit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Sipas kryeministrit, përfshirja në këtë bord përfaqëson një vlerësim të angazhimit të Shqipërisë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai theksoi se vendi do të vijojë të kontribuojë në iniciativat globale që synojnë forcimin e dialogut dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtare themeluese, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.

Nuk mund të jem më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer atë në një Shqipëri tjetër, të denjë dhe të respektuar botërisht si asnjëherë më parë. Pa diskutim, edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt dhe vlerësim të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar dhe të kryesuar prej tij, si dhe për të punuar së bashku me të.

Thank you, Mr. President

God bless Albania and the United States”, shkruan Rama