Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pritur sot në një takim zyrtar kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Gjatë deklaratës së tij publike, Netanyahu vlerësoi rolin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se numri i hebrenjve në vend nuk u pakësua, por u rrit, falë mbrojtjes së dhënë nga shqiptarët.
Sipas Netanyahut, myslimanët shqiptarë mbrojtën qindra hebrenj dhe ndihmuan të tjerë të shpëtonin, një histori që, sipas tij, meriton të njihet më gjerësisht ndërkombëtarisht. Ai e cilësoi këtë si një rol moral të rëndësishëm të Shqipërisë “gjatë orëve më të errëta të historisë”. Kryeministri izraelit u ndal gjithashtu te qëndrimi i Shqipërisë në mbështetje të Izraelit pas sulmeve të fundit, duke theksuar se kjo mbështetje është vlerësuar nga autoritetet izraelite.
“Dua t’i uroj mirëseardhjen Kryeministrit Edi Rama nga Shqipëria. Kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre, një mik i madh i shtetit hebre, mund të them po kështu edhe një mik i madh i imi. Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta njerëzit nuk e dinë dhe bota duhet ta dijë, që Shqipëria ishte i vetmi vend europian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë, që u rrit, e nuk u mpak, u rrit sepse shqiptarët, myslimanët shqiptarë, në frymën e moderimit, në frymën e tolerancës, në frymën e dinjitetit njerëzor, mbrojtën qindra hebrenj që jetonin asokohe në Shqipëri, e po kështu, mikpritën shumë të tjerë. Ky është shpirti që ju përfaqësoni.
Kjo është ajo histori që, siç po flisnim pak minuta më parë, është histori që bota duhet ta njohë. Kjo është histori, siç ju thatë që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, rolin moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore. Kjo është ajo frymë që ju vazhdoni ta ushqeni dhe sot, miku im i mirë Edi.
Ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju sprapsin, ju qëndroni krahë së vërtetës, ju qëndruat krahë Izraelit kur u sulmuam nga barbarët, busulla juaj morale nuk u lëkund, dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënjon si një udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe mendoj për ato segmente njerëzimi që duan që e vërteta të mbrohet e të mbrohen vlerat morale që bashkëndajmë“-, u shpreh kryeministri i Izraelit.


