Partia Socialiste refuzoi kërkesën e SPAK ndaj Kuvendit për autorizimin për Belinda Ballukun, e cila tashmë për kryeministrin Rama ka avokatët e saj. Megjithatë për kreun e qeverisë ajo do të vijojë të jetë drejtuese politike e qarkut Fier.

Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story”, u shpreh se, sipas tij, mbrojtja që kryeministri Edi Rama i bëri sot Belinda Ballukut gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së ishte e parashikueshme.

Sipas Kasos, Rama sot mori rolin e prokurorit dhe të gjyqtarit, duke shfrytëzuar kohën e plotë deri në limitet e skadencës për çështjen Balluku.

“Beteja e Ramës për të mbrojtur Ballukun me çdo kusht tregon se ai është avokati më i mirë i saj. Ne kemi vetëm detyrën që të paktën të ngremë zërin publikisht, me votë dhe në rrugë gjyqësore.

Ishte e parathënë mbrojtja që do t’i bënte. Mori kohën më të gjatë të mundshme, deri në limitet e skadencës. Sot bëri si prokuror, kur vlerësoi punën e tyre, dhe si gjyqtar, kur tha se ajo ka një fëmijë 15-vjeçar.

Akuzat janë nga më të rëndat, jo vetëm ato për barazinë në tendera, ku vlera shkon në 1.1 miliardë euro. Në 36 vite tranzicion kjo është akuza më e rëndë për një zyrtar dhe një grup të organizuar në historinë e Republikës së Shqipërisë. Nëse akuzat vërtetohen, abuzimi mund të arrijë në 1.1 miliardë euro”, u shpreh Kaso.

Top Channel