Kryeministri Edi Rama ka përdorur tone ironike ndaj opozitës gjatë një komunikimi në rrjete sociale, duke i bërë thirrje qytetarëve që të mos votojnë për të, të cilën ai e cilësoi si “kënetë”.
Në përgjigje ndaj një ndjekësi që i kërkoi të tërhiqet dhe të hapë rrugë për brezat e rinj, Rama u përgjigj: “Këtë e vendos populli që nuk ka mendjen tënde. Është një gjykatës shumë i madh, suprem sovran. Dakord.”
Ndërsa një komentueses që e kritikonte, kryeministri i sugjeroi të mos dalë fare në votime nëse nuk mbështet Partinë Socialiste. “Edhe ty të bëj thirrje që të mos votosh, meqë e ke mendjen në kënetë dhe meqë nuk ke asnjë lloj tundimi se mbase voton për mua dhe për PS… mos voto fare. Të paktën mos shko të hidhesh në kënetë,” tha ai, duke theksuar se kjo nuk është e pranueshme “nga pikëpamje politike, qytetare dhe kombëtare.”
Rama përforcoi qëndrimin e tij se vota për opozitën nuk i shërben integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe e cilësoi PS-në si forca që përfaqëson shumicën dhe rrugën drejt BE-së.
