Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij dhe qytetarëve që të vijojnë pjesëmarrjen në tubime.

Gjatë një konference për mediat, Berisha e cilësoi protestën si një lëvizje të fuqishme qytetare dhe kërkoi që ajo të mbështetet pavarësisht thirrjeve dhe mesazheve të ndryshme që shoqërojnë tubimet.

“Protesta që zgjat çdo orë është një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do Shqipërinë”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, qytetarët dhe të rinjtë që marrin pjesë çdo natë në protesta përfaqësojnë pakënaqësinë e një shoqërie të tërë dhe një kërkesë për liri dhe dinjitet.

Berisha u bëri apel demokratëve, mbështetësve të PD-së, por edhe qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që të mbështesin protestat.

“Janë zëri i ndërgjegjes së një shoqërie të tërë të dhunuar, të shtypur”, deklaroi lideri demokrat.

Protestat në Tiranë vijojnë prej ditësh, ndërsa opozita i ka kthyer ato në një nga format kryesore të kundërshtimit politik ndaj qeverisë.

“Gjithashtu, duke përshëndetur protestën qytetare popullore për suksesin e saj të jashtëzakonshëm si lëvizja qytetare më e fuqishme dhe jetëgjatë e kontinentit, si lëvizja qytetare në të cilën çdo i ri dhe çdo qytetar dëshmon sakrificën e tij të madhe që e bën për vendin e tij dhe qytetarët shqiptarë.

Protesta që zgjat çdo orë është një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do Shqipërinë, është një thirrje në ndërgjegjen e çdo të riu, e çdo të moshuari, e çdo vajze, nëne, motre, e çdo burri, djali të mbështesim këtë protestë që bën krenarë shqiptarët në mbarë botën.

Ata të rinj, ata qytetarë që protestojnë çdo natë me orë të tëra, në të vërtetë janë zëri i ndërgjegjes të një shoqërie të tërë të dhunuar, të shtypur.

Janë zëri i ndërgjegjes së interesit kombëtar.

Përfaqësojnë sakrificën e vërtetë qytetare dhe rinore për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar.

Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës të PD, por edhe çdo qytetar shqiptar në Shqipëri dhe në botë, kudo që ndodhen, të mbështesin me të gjithë mundësitë e tyre këtë protestë që bën krenar çdo njeri që i thotë lirisë, liri, dhe dinjitetit njerëzor, dinjitet njerëzor”, u shpreh Berisha.