Për të 11-ën ditë, në sheshin “Skëndërbej” janë mbledhur protestues për të marshuar drejt kryeministrisë, në tubimin e radhës.
Ditën e sotme është thirrur protestë mbarëkombëtare me thirrjen që çdo qytetar të udhëtojë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës. Tubimi i nisur me thirrjen për të anuluar projektin në Zvërnec, tashmë bëhet edhe për të tjera pakënaqësi, deri te kërkesa për dorëheqje e Edi Ramës dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Ata vijojnë me thirrjet për ndryshimin e klasës politike, teksa edhe më herët kanë paraqitur 5 kërkesa:
- Dorëheqjen e qeverisë;
- Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;
- Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
- Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura;
- Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
