Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur zyrtarisht alarmin tek ambasadat e huaja në Tiranë për ndryshimet e propozuara nga Edi Rama në Rregulloren e Parlamentit, të cilat, sipas tij, janë një përpjekje për të shtypur zërin e opozitës dhe për ta përjashtuar atë nga procesi i integrimit europian.
Në një letër drejtuar ambasadës amerikane, Delegacionit të BE-së dhe shtatë ambasadave të tjera, Bardhi thotë se ndryshimet janë hartuar në mënyrë të njëanshme, vetëm nga përfaqësues të Partisë Socialiste, pa përfshirë asnjë deputet opozitar.
“Në 11 shtator, gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama deklaroi se një grup pune, i përbërë vetëm nga anëtarë të Partisë Socialiste, ka punuar mbi disa ndryshime që duhet të bëhen në emërtimin, përbërjen dhe drejtimin e komisioneve parlamentare. Asnjë deputet opozitar nuk ishte pjesë e këtij grupi pune, dhe as nuk u ftua që të bëhej pjesë. Propozimet e njëanshme të bëra nga kryeministri Rama përfshinin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, si dhe shkrirjen e komisionit për integrimin evropian me komisionin për punët e jashtme. Komisioni i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të drejtohet nga mazhoranca socialiste, një devijim nga tradita e gjatë parlamentare dhe praktika demokratike.”
Sipas tij, plani për të rritur numrin e komisioneve nga 8 në 11 dhe bashkimi i Komisionit për Integrimin Europian me atë për Punët e Jashtme, do të dobësojë rolin e opozitës dhe do ta kalojë nën kontrollin e mazhorancës një proces që duhet të ishte i gjithëpërfshirës dhe kombëtar.
“Përveç faktit se këto propozime nuk u paraqitën nëpërmjet procedurës së rregullt parlamentare, por gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ato injorojnë tërësisht modelet e vendeve të Balkanit Perëndimor, në të cilat çdo parlament ka një komision të dedikuar për integrimin evropian, i udhëhequr nga opozita (Kosova, Mali i Zi dhe Serbia). Qëllimi kryesor i këtyre komisioneve është të garantojë shqyrtimin e duhur të çdo projektligji lidhur me integrimin evropian, ashtu si edhe të sigurojë një rol domëthënës të opozitës në procesin e integrimit.”
Bardhi thekson se kjo lëvizje shkel traditën demokratike shqiptare dhe praktikat e vendeve të rajonit, si Kosova, Mali i Zi e Serbia, ku komisionet për integrimin drejtohen nga opozita.
“Rregullorja e Parlamentit garanton bashkëjetesën demokratike të partive politike dhe çdo amendament duhet të bëhet nëpërmjet dialogut, konsensusit dhe gjithëpërfshirjes. Çdo propozim duhet të shqyrtohet nga Këshilli Parlamentar i Rregullores, Mandateve dhe Etikës, i cili përbëhet nga 10 deputetë, në barazi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Ky konfigurim ka për qëllim që çdo amendament të mos miratohet nëse nuk ekziston një marrëveshje ndërpartiake. Ndërkohë që ky parim është i rëndësishëm për të gjitha ndryshimet, ai është veçanërisht i rëndësishëm për ato ndryshime që ndikojnë integrimin evropian, i cili është dhe duhet të mbetet një çështje e dakordësisë kombëtare në vend të kontrollit partiak.”
Ai kërkon ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë për të ndalur këtë proces të njëanshëm dhe për të rikthyer dialogun e munguar në Kuvend.
“Për këto arsye, me mirësjellje nxisim shkëlqesitë tuaja që të merrni parasysh këto zhvillime dhe në cilësitë tuaj si partnerë dhe miq të çmuar të vendit tonë, të inkurajoni rivendosjen e gjithëpërfshirjes dhe konsensusit në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë. Ruajtja e traditave demokratike nuk është vetëm një çështje me rëndësi të brendshme, por një kërkesë e domosdoshme për rrugëtimin e integrimit evropian të Shqipërisë”.