Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm e të NATO-s Mark Rutte në Bruksel. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se në selinë e NATO-s ka takuar mikun e veçantë dhe tanimë mbështetësin e paepur të Shqipërisë, Mark Rutte. Rama thotë se ky është takimi i parë me të si Sekretar i Përgjithshëm të NATO-s, pas 14 vjetësh në krye të qeverisë hollandeze.
POSTIMI:
Bruksel, Selia e NATO – Me mikun e veçantë dhe tanimë mbështetësin e paepur të Shqipërisë, Mark Rutte, në takimin e parë me të si Sekretar i Përgjithshëm të NATO-s, pas 14 vjetësh në krye të qeverisë hollandeze.
Shqipëria nisi sot bisedimet për një tjetër grupkapitull, pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ato u zyrtarizuan me mbajtjen e Konferencës së tretë ndërqeveritare në Bruksel. Grupkapitulli VI, “Marrëdhëniet me jashtë”, përfshin Kapitullin 30 “Marrëdhëniet e jashtme” dhe Kapitullin 31 “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”.
Dy muaj më parë, Shqipëria nisi bisedimet konkrete të anëtarësimit me Bashkimin Europian, për grupkapitujt e parë. I quajtur “Themeloret”, ky grupkapitujsh, është dhe më kryesori. Ai hapet i pari dhe mbyllet i fundit, duke qenë se prek tema me peshë që nga Gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar. Në total janë 6 grupkapituj, të cilët përmbledhin 35 kapitujt, që përbëjnë arkitekturën ligjore të Bashkimit Europian.
