Kryeministri Edi Rama ishte sot, më 17 qershor, i ftuar nderi në Konferenca Vjetore e Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, ku mbajti një fjalim të fokusuar në ndikimin e epokës digjitale mbi demokracitë moderne dhe përhapjen e dezinformimit.

Në adresimin e tij në Berlin, Rama paralajmëroi se Europa nuk ka nevojë vetëm për mbrojtje ushtarake, por edhe për një “mburojë” kundër kaosit informativ që krijohet në rrjetet sociale dhe platformat digjitale.

Ai solli si shembull një debat të fundit në Shqipëri rreth projektit turistik në Zvërnec, i cili, sipas tij, u shndërrua shpejt në një valë ndërkombëtare narrativash të pasakta, ku akuza dhe teori konspirative u përhapën përpara se faktet të verifikoheshin.

Sipas Ramës, ky fenomen nuk është më i kufizuar brenda një vendi, por përbën një sfidë të përbashkët për demokracitë, të cilat rrezikojnë të humbasin besimin e qytetarëve nëse nuk ruhet dallimi mes të vërtetës dhe dezinformimit.

“Europa nuk ka nevojë vetëm për mburojë kundër raketave,, ka nevojë edhe për një mburojë për epokën e algoritmeve dhe nëse do të më duhej të zgjidhja nga t’ia nisja, do t’ia nisja pikërisht nga kjo e fundit.

Këto javët e fundit, vendi im përjetoi dhe vazhdon të përjetojë një shembull të gjallë të kësaj. Një propozim për zhvillim turistik në bregdetin e Shqipërisë u bë befas qendra e një stuhie digjitale ndërkombëtare. Katastrofa mjedisore u paraqit si fakt i provuar. Korrupsioni u shpall i vërtetuar përpara se të ekzistonte ndonjë provë. Teoritë konspirative u shumëfishuan orë pas ore. Pretendimet u bënë tituj. Titujt u bënë të vërteta. Të vërtetat u bënë dogma dhe kushdo që kërkonte prova trajtohej si i dyshuar.

E përmend këtë jo sepse vetë projekti ka rëndësi për Europën. Ka, por sepse ajo që ka edhe më shumë rëndësi është ajo çka zbuloi ky episod. Indinjata prodhoi miliona shikime përpara se faktet të kishin mundësi të flisnin. Narrativat bënë xhiron e botës përpara se procedurat e dokumentuara të mund të qarkullonin në një kanal të vetëm. Ky nuk është më një fenomen shqiptar. Është fenomen europian. Fenomen amerikan. Fenomen demokratik dhe nëse demokracitë dështojnë të mbrojnë dallimin mes fakteve dhe trillimeve, mes shqyrtimit të fakteve dhe histerisë, mes kritikës dhe linçimit digjital, ato do të humbasin, herët a vonë, diçka shumë më të vlefshme se çdo argument politik.

Besimin se demokracia ia vlen dhe kur besimi zhduket, institucionet ndryshojnë vetë fiziologjinë e tyre. Kur institucionet ndryshojnë në vetë fiziologjinë e tyre, politika kryesore humbet legjitimitetin. Kur legjitimiteti gërryhet, demagogët lulëzojnë. Qendra zhduket. Skajet zgjerohen. Politika kthehet në një garë përshkallëzimi, jo në kërkim zgjidhjesh. Ajo që sot duket ekstreme dhe kjo edhe më çmenduri, nesër sfidohet nga diçka edhe më ekstreme. Demokracia zakonisht nuk bie kurrë, se njerëzit ndalojnë së votuari. Demokracia bie, kur qytetarët nuk besojnë më e vërteta ekziston në mënyrë të pavarur përtej përkatësive të tyre klanore”, tha Rama.