Kryeministri Edi Rama mësohet se u ka kërkuar ministrave të nisin largimin e drejtuesve të institucioneve që janë në varësi të dikastereve të tyre, në një moment kur vendi po përballet me protesta dhe tensione politike në Tiranë.

Sipas burimeve të raportuara nga Top Channel, kreu i qeverisë ka komunikuar me ministrat nga Budva, duke u kërkuar të thërrasin drejtuesit e institucioneve në varësi dhe t’u kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme.

Vendimi pritet të bëhet publik në ditët në vijim nga vetë kryeministri, ndërsa ende nuk dihet nëse kjo lëvizje synon të zbusë pakënaqësinë e qytetarëve apo lidhet me zhvillime të tjera politike, përfshirë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Gjatë daljeve të fundit publike, Rama ka shprehur kritika ndaj administratës shtetërore, duke vënë theksin te vonesat në trajtimin e kërkesave të qytetarëve dhe mosrespektimi i afateve ligjore.

Një javë më parë, kryeministri paralajmëroi masa konkrete ndaj drejtuesve dhe punonjësve të administratës që nuk përmbushin detyrimet në kohë. Ai deklaroi se çdo shkelje e afateve do të shoqërohet me përgjegjësi dhe pasoja për personat përgjegjës.

“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde”, ishte paralajmërimi i Ramës, i cili theksoi se kjo përgjegjësi do të përcaktohet përmes mekanizmave ligjorë.