Zv.kryeministrja Belinda Balluku është pezulluar sot nga detyrat publike me vendim të GJKKO-së si dhe i është ndaluar të dalë jashtë shteti. Balluku po vijon takimin me kryeministrin Rama në godinën e qeverisë prej rreth 3 orësh, ndërsa kryeministri deri më tani nuk ka ende asnjë reagim.
Ndërsa në rrjetet sociale kryeministri Rama ka publikuar dy postime njëri pas tjetrit, por që nuk lidhen me këtë situatë.
Rama ka postuar disa foto nga nxënës të shkollave të ndryshme të qyteteve në Shqipëri, të cilët nëpërmjet programit ‘Art dhe Zeje’, po përgatiten për të festuar Ditën e Alfabetit dhe festat e Nëntorit.
Ndërkohë në postimin tjetër, shefi i qeverisë ka bërë me dije hajen e një godinë të re që do të shërbejë si parking në Durrës me energji të vetëprodhuar nga dielli. Përveçse një parking me 400 vende, godina do të shërbejë dhe për zyra e dhe zhvillimin e aktiviteteve të hapura social-kulturore.
Që prej datës 31 tetor, kur SPAK vendosi të merrte të pandehur Belinda Ballukun, e akuzuar për ‘shkelje të barazisë në tendera’ për tunelin e Llogarasë dhe së fundmi nën hetim dhe për ndërtimin e Unazës së Madhe, Loti 4, kryeministri ka deklaruar se nuk ndërhyn në punët e drejtësisë.
