Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur reformën në drejtësi, duke deklaruar se fundi i pandëshkueshmërisë dhe krijimi i një drejtësie të pavarur janë rezultat i reformës së ndërmarrë nga Partia Socialiste.

Në mesazhin e tij, Rama tha se koha kur drejtësia ishte e lidhur me pushtetin politik nuk mund të rikthehet më, ndërsa e cilësoi reformën si një nga sakrificat më të mëdha politike të mazhorancës së tij.

“Ka ikur ajo kohë sepse unë dhe PS i hymë detit me këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë dhe të dhimbshme, aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë nga duart e pushtetit politik në duart e drejtësisë të çliruar dhe të pavarësuar”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se ishte i vetëdijshëm se reforma do të godiste edhe njerëz të lidhur me pushtetin, por këmbënguli se kjo ishte një kosto që duhej marrë përsipër.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë po tregon për herë të parë aftësinë për t’u “vetëpastruar”, të cilën e konsideroi një arritje historike për shtetin shqiptar.

Rama kundërshtoi gjithashtu idenë se pavarësia e drejtësisë në Shqipëri është produkt i faktorit ndërkombëtar.

“Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli, nuk e solli as koha, as SHBA dhe as Europa. Ata ndihmuan, por pa ne do të kishin bërë një Noc Rrok”, u shpreh kryeministri.

Në fund, Rama sulmoi edhe kundërshtarët e tij politikë, të cilët, sipas tij, e shohin SPAK-un si një instrument për ta goditur politikisht, ndërsa tha se ata janë mundur prej tij vazhdimisht në zgjedhje.