Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë kyçe që ka viti aktual për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke folur për paketën e re të nismave ligjore të prezantuara këtë javë, Rama e cilësoi këtë fazë si një provë konkrete të gatishmërisë së shtetit shqiptar për të kaluar nga reformat në zbatim real, duke nënvizuar se ky është një moment që nuk mund të humbet.

Ky është një vit kyç për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Është një moment vendimtar për procesin dhe për përparimin e Shqipërisë në rrugën e negociatave.

Dhe këtë javë, pikërisht për këtë arsye, është prezantuar edhe paketa e re, me një duzinë nismash ligjore që shkojnë në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe këto janë nisma që përfshijnë fusha thelbësore si; lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve, dhe nuk janë thjesht detyrime në letër, që natyrisht janë edhe detyrime në kartën e ligjit që burojnë nga negociatat, por janë dhe një investim i mëtejshëm në besimin e qytetarëve dhe në funksionimin e shtetit ligjor.

Ky është një vit kur Shqipëria duhet me patjetër të provojë se është e gatshme, jo vetëm t’i kalojë reformat, por dhe t’i jetësojë ato, duke pasur parasysh që të gjithë çdo ditë, në çdo hap, se ky moment nuk mund të humbet.