Kryeministri Edi Rama drejton Partinë Socialiste prej 19 vitesh dhe duket se largimi i tij është larg. Megjithatë, për vetë Ramën, kjo ngjarje e ka një datë.
Në një takim në kuadër të nismës “Deputeti që duam”, Rama është shprehur sot se vitit 2030, do të shënojë fundin e rrugëtimit të gjeneratës aktuale që drejton të majtët, duke lënë të kuptohet se pas 6 vitesh ai do largohet nga posti i kryetarit.
Nuk dihet nëse Rama do largohet edhe nga politika në momentin që do heqë dorë nga lidershipi i PS, por kujtojmë se më herët, ai ka deklaruar që nëse fiton mandatin e katërt, do të jetë i fundit si kryeministër për të.
“Do të na duhet për sfida të mprehta që kemi para deri në majën që duhet ta ngjisim Shqipërinë, që është maja në anëtarësimin në BE. Proces që zhvillohet duke bërë këtu gjërat me të cilat thua këto i kam gati. Pas çeljes së negociatave në kuptimin që u hapën por ulja në tryezë kërkoi shumë kohë, ne e kemi çuar Shqipërinë në një stad tjetër. Jemi të vetëdijshëm se 2030 përmbyll këtë fazë të rrugëtimit të kësaj gjenerate që udhëheq sot PS.”-u shpreh Rama.