Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat e dhunshme në Tiranë, duke theksuar se protesta është një e drejtë demokratike, ndërsa dhuna përbën krim.

Rama i ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e manipulimeve, ndërsa ka paralajmëruar se dhunuesit dhe protestuesit që nuk distancohen prej tyre do të përballen me pasoja ligjore dhe financiare.

Kreu i qeverisë ka theksuar gjithashtu se mbetet i gatshëm për dialog me të gjithë, me përjashtim të dhunuesve dhe partive politike që nuk distancohen nga aktet e dhunës.

“Protestat janë një e drejtë, ndërsa dhuna është krim dhe kjo vijë e kuqe do të ndahet prerazi në këtë fazë kritike të zhvillimit tonë demokratik.

Qytetarët duhet të bëjnë durim, e të mos bien pre e presionit të manipulatorëve mediatikë dhe pasqyrave telefonike.

Protestuesit duhet të distancohen nga dhunuesit, përndryshe do të paguajnë financiarisht njësoj si ata.

Dhunuesit duhet dhe do të marrin faturën ligjore e financiare të verbërisë së tyre.

Unë dhe shumica qeverisëse jemi gati për dialog me këdo tjetër përveç dhunuesve dhe partive politike që nuk distancohen nga dhuna. Në çdo vend. Në çdo orë. Pa kushte”, shkruan Rama.