Kryeministri Edi Rama mesa duket ka nisur përgatitjet se për jetën e tij pas politikës. Shpesh në intervista të ndryshme, Rama ka deklaruar se viti 2030 do të jetë i fundit për të në politikë, megjithëse kjo deklaratë është marrë jgithmonë më pikëpyetje.
Por duket se tashmë Rama synon që të merret me profesionin e tij të vjetër, artin. Ditën e djeshme galeria prestigjioze “Societe” në Berlin ka njoftuar se tashmë përfaqëson Ramën si artist, duke i hapur atij rrugën drejt ekspozitave ndërkombëtare.
ART News raporton se kjo kontratë shënon një hap të rëndësishëm drejt një rikthimi më të plotë të Ramës në botën e artit. Në fokus të bashkëpunimit me galerinë janë veprat e tij në qeramikë dhe punimet abstrakte mbi letra, shpesh të realizuara mbi dokumente të ricikluara zyrtare.
Artikulli i plotë:
Galeria Société në Berlin Tashmë Përfaqëson Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë prej më shumë se një dekade, nuk është aspak i panjohur për botën e artit. Ai ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranën e tij të lindjes, ku ka qenë edhe pedagog. Në vitet ’90, ka punuar si artist në Paris, përpara se të rikthehej në Shqipëri në vitin 1998 për të shërbyer si ministër i Kulturës. Në vitin 2000 u zgjodh kryetar bashkie i Tiranës, ndërsa në vitin 2013 u bë kryeministër i vendit.
Megjithatë, njoftimi se galeria e njohur e artit bashkëkohor “Société” do të përfaqësojë Ramën si artist, ishte një surprizë për shumëkënd, madje edhe për vetë njohësit e artit tek “ARTnews”! Rama i bashkohet një grupi ndërkombëtar artistësh në përfaqësimin e “Société”, mes të cilëve Trisha Baga, Lu Yang dhe Petra Cortright.
Vitin e kaluar, galeria Marian Goodman ekspozoi punët e tij në hapësirën e saj në Paris: skulptura qeramike me ngjyra të forta që ngjasojnë me forma të nxjerra nga një shkëmb koralesh, si dhe vepra abstrakte në letër, shumë prej tyre të realizuara mbi faqe kalendarësh dhe letër-muri artistike.
Një profil i Ramës i publikuar në “Financial Times” në vitin 2016 përmendte se, gjatë një vizite të Angela Merkel-it, atëherë kancelare e Gjermanisë, gjesti i parë i Ramës ishte ta prezantonte me një grup artistësh bashkëkohorë europianë, të cilët ndodheshin në Tiranë për hapjen e Qendrës për Hapje dhe Dialog. Artikulli i “FT” është i mbushur me anekdota të këndshme që lidhen me artin: zyra e Ramës është plot me kuti lapsash me ngjyra; letër-muri shumëngjyrëshe e mbuluar me vizatimet e tij të përditshme; dhe ai e mësoi “fuqinë magjike të artit” që në fëmijëri, përmes një rotacioni të shpeshtë të pikturave në kuzhinën e gjyshes së tij.
Në galerinë “Société”, Rama do të prezantojë më shumë nga punët e tij në qeramikë dhe në letër, shpesh të realizuara gjatë takimeve apo telefonatave, mbi dokumente zyrtare të ricikluara, të cilat ai i ka krijuar përgjatë dekadës së fundit. Galeria ende nuk ka njoftuar një datë për ekspozitën e parë të Ramës.