Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën hapëse në forumin e investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ku falenderoi edhe Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, që u rikthye në rajon.
“Të dashur miq, fqinj, një mirëseardhje shumë të ngrohtë të gjithëve në Tiranë, në mbledhjen sëbashku, miqësinë në rritje dhe fatit europian që na lidh”, tha ai duke shtuar: “Për të shijuar më shumë diell, ushqim dhe më pak mërzi se në flluskën tënde në Bruksel”.
Rama tha se për shumë kohë, pritja për procesin e Integrimit u bë dëshpëruese, megjithatë shqiptarët kurrë nuk u dorëzuan.
“Megjithatë kurrë nuk ndalëm së ëndërruari dhe kurrë nuk reshtëm së punuari. Që ky moment të na gjente gati, të përgatitur!”, tha ai.
“Nga kërkesa jonë për anëtarësim, te oreksi në rritje, po krijohet një hartë e re”, shtoi Rama.
“Njerëzit e shohin nevojën vetëm kur ka krizë. Nevoja është këtu, le ta transformojmë nevojën në vizion dhe krizën në krijim”, kështu e mbylli fjalën e tij numri një i kabinetit.
Më herët, kreu i qeverisë zhvilloi takim dhe konferencë të përbashkët me Von der Leyen, ku u veçua përparimni rekord i Shqipërisë, 3 vitet e fundit, drejt familjes europiane.
Sipas Ramës, në 2027-ën do të mbyllen të gjithë grup-kapitujt e negociatave.
Kryeministri theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të shihet si një mundësi për ndërtimin e së ardhmes evropiane, jo si një problem, duke kërkuar vizion dhe bashkëpunim të guximshëm nga partnerët e BE-së. Ai shtoi se Ballkani Perëndimor mund të bëhet streha amortizuese rregullatore e Europës.
“Le të imagjinojmë një vend ku BE-ja dhe rajoni i saj takohen jo vetëm për të folur për të ardhmen, por për ta bërë të ardhmen realitet. Nuk duhet shumë shkencë, por ca kurajë për të kuptuar. Ballkani Perëndimor mund të bëhet streha amortizuese rregullatore e Europës, laboratori i rezistencës, një hapësirë për të testuar, ndërtuar të ardhmen.
Prodhimi i teknologjisë së lartë, këto zinxhirë mund të zgjerohen, diversifikohen dhe të bëhen më të fortë. Europa nuk e ka luksin të varet nga ajo që nuk e kontrollon dot. Ta zëvendësojmë potencialin. Le të imagjinojmë një ekosistem të ndërlidhur, ku investimet miratohen jo për vite të tëra, por për muaj, ku përputhshmëria është e thjeshtë dhe transparente, e ndihmuar nga inovacioni dhe zhvillimi”, u shpreh kryeministri.