Kryeministri Edi Rama po prezanton sot Drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, Igli Tafa. Kryeministri e nisi fjalën e tij duke falënderuar ish-drejtuesen Mirlinda Karçajan, e cila është nën hetim nga SPAK.
Rama e konsideroi Karçanajn një njeri të përkushtuar në punë dhe u shpreh i pikëlluar për atë që e konsidroi si “agression barbar”, të dhunës verbale që po ushtrohet ndaj saj.
“Desha të vij vet për të bërë një falënderim shumë të madh për Mirlinda Karçanajn, që ka punuar pranë meje për dy dekada e më shumë, të cilën e njoh si një nga njerëzit më të përkushtuar ndaj funksionit dhe shërbimit publik në këtë vend.
Linda ka qenë gjithnjë e para që vinte në punë dhe e fundit që largohej nga puna. Jam i pikëlluar për atë gjithçka ajo po kalon, në radhë të parë për agresionin barbar të portaleve, rrjeteve, dhunës verbale, që e asociojnë për gjëra që s’kanë asnjë lidhje me Lindën. Unë s’kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e kompanive të përfshira në hetim, por kam dijeni për faktin që Linda është nënë e vetme me dy fëmijë, ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik. Jam i keqardhur për ata ndër ju që janë vënë nën presion, keqtrajtuar, abuzuar dhe përballur me metoda shtrëngimi të pajustifikueshme në një Republikë Demokratike”, tha Rama.
