Pas iniciativës së “Paketës së Maleve”, Rama tha se qeveria shqiptare po përgatit një tjetër program të rëndësishëm në mbështetje të sipërmarrjes. Në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë, pritet të nisë së shpejti një skemë e re kreditimi me interesa më të favorshme dhe me garanci shtetërore. Programi synon të ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme, si edhe start-up-et, që të rrisin aktivitetin e tyre dhe të shndërrohen në ndërmarrje më të fuqishme dhe konkurruese në treg.

“Pas Paketës së Maleve vjen edhe një program i ri i qeverisë së Shqipërisë, së bashku me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë, i cili së shpejti do të firmoset për të nisur rrugëtimin e tij dhe për të pritur në këtë rrugëtim të gjithë ata, të cilët duan të dyfishojnë ndërmarrjen e tyre.

Një program i fuqishëm kreditimi me interesa më të arsyeshme sesa ato komerciale të bankave të nivelit të dytë dhe me garanci nga qeveria e Shqipërisë, po bëhet më në fund gati për t’i shërbyer të gjithë atyre shqiptarëve dhe shqiptareve që me kurajë, me vullnet, por edhe me largpamësi kanë zgjedhur të hapin rrugën përmes sipërmarrjes; kanë zgjedhur të krijojnë një biznes të vogël i cili tanimë është gati të rritet, por ka nevojë për mbështetjen financiare që përndryshe ata nuk mund ta sigurojnë dot.

Kjo është një rrugë e re dhe së shpejti, të gjithë ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme, të gjithë ata që kanë një pikë prodhimi, që duan ta dyfishojnë dhe ta rrisin, të gjithë ata që kanë një start-up dhe që duan ta transformojnë në një ndërmarrje prodhuese, fitimprurëse, do të kenë të hapur derën e programit “Dyfisho ndërmarrjen tënde,” tha Rama.