Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti Smart City do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e garantimit të sigurisë publike në Shqipëri, duke mundësuar parandalimin e ngjarjeve kriminale përmes inteligjencës artificiale dhe një sistemi të integruar monitorimi në kohë reale.
Gjatë prezantimit të Qendrës së Komandës dhe Kontrollit të projektit, Rama tha se me teknologjinë e re do të bëhet pothuajse e pamundur që autorët e krimeve të zhdukin gjurmët, duke theksuar se “historia e makinave që kryejnë krime dhe më pas gjenden të djegura nuk do të ndodhë më”. Ai shtoi se sistemi do të sinjalizojë menjëherë edhe raste të tjera me rrezik potencial, si personat në kërkim apo nxjerrja e një arme të ftohtë në ambiente publike, duke rritur ndjeshëm kapacitetin e policisë për të parandaluar ngjarjet përpara se ato të ndodhin.
“Projekti është i ndërtuar në mënyrë që sistemi të informojë në kohë reale për rrezikun, jo siç e tha ministrja, të ruajë një informacion që pastaj duhet marrë duke hapur sistemin e duke nxjerrë informacionin kur fakti ka ndodhur. Nëse një thikë del nga xhepi, në cilindo vend publik, jo vetëm në shkolla, por edhe në rrugë, sistemi jep informacion në qendrën e monitorimit. Mund të jetë e parrezikshme, por edhe e rrezikshme. Nëse një person në kërkim është një person që ka shumë mundësi të fshihet, sistemi e bën pothuajse të pamundur që policia të mos dijë nga drejtohet.
Historia e makinave që kryejnë akte kriminale dhe gjenden të djegura nuk mund të ndodhë më, për shkak se sistemi e sheh makinën përpara se makina të ndalet. Sado kemi përmirësuar procesin, procesi vazhdon të ketë dhimbjet e veta. E ndalimit të automjeteve në rrugë për kontrolle që shoqërohen me shkëmbime mes policit dhe drejtuesit të automjetit. Nuk ndodh më, sepse sistemi informon menjëherë qendrën kur një makinë nuk ka paguar detyrimet dhe futet në rrugë. Pra, kjo e kombinuar edhe me një element tjetër që tani po punohet, që kamerat e trupit do të jenë të lidhura me qendrën. Jo se nuk do të ndodhë më asgjë, por niveli i parandalimit do të rritet në mënyrë eksponenciale, niveli i rreziqeve do të ulet dhe zbulueshmëria e shkeljeve do të rritet në mënyrë eksponenciale. Keni pasur një vëmendje të shtuar edhe falë angazhimit të punonjësve të sigurisë në shkolla, policisë, drejtuesve të shkollave dhe sugjerimeve të prindërve. Ka qenë një punë e stërmundimshme për të pamundësuar ngjarje ekstreme.
Kemi pasur edhe një ngjarje që kemi pasur, jashtë oborrit të shkollës, por stërmundimi është i atillë që rezultatin, sidoqoftë, nuk e bën të kënaqshëm plotësisht. Për më tepër sot, që jemi në kohën e armikut të fëmijëve. Rrugacërve më të rrezikshëm të lagjes, që është algoritmi në xhepat apo çantat e adoleshentëve. Ky sistem do të jetë i fokusuar edhe te ndërveprimi me prindërit”, u shpreh Rama.
