Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh të qartë socialistëve gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste: kjo forcë politike duhet të mbetet në pushtet për dekada, madje deri në vitin 2050.

“PS duhet të udhëheqë edhe për shumë e shumë vite të tjera. Përrallat që thonë se në demokraci partitë duhen ndërruar çdo katër vjet, lërini atyre që tregojnë përralla. Është detyrim që PS të jetë në krye edhe në 2030, 2040 e 2050,” – u shpreh Rama, duke shtuar me humor: “Ne ta shohim, domethënë ju ta shihni.”

Qasje e re në ndërtim dhe turizëm

Rama tha se vendi ka hyrë në një etapë të re zhvillimi, ku prioritet do të jetë turizmi dhe një qasje e re ndaj ndërtimit. Ai nënvizoi se rritja e industrisë së ndërtimit është e dukshme, por paralajmëroi se kjo duhet të shoqërohet me kontrolle më të forta dhe kufizime në intensitetin e ndërtimeve, sidomos jashtë qyteteve.

“Sot na duhet të jemi në alert gjithë kohës. Do të ndërtojmë në zonat prioritare për turizëm, por me standarde më të rrepta, kontrolle të reja dhe sanksione të forta në zbatimin e tyre,” tha kryeministri.

Rilindja Urbane 2.0

Në vijim, Rama prezantoi konceptin e ‘Rilindjes Urbane 2.0’, që sipas tij nuk do të kufizohet vetëm në projektet e qyteteve, por do të shtrihet në çdo sektor të zhvillimit ekonomik dhe social.

“Rilindja urbane 2.0 është pjesë e një mozaiku të ri, një rilindje që duhet ta rijetësojmë në çdo sektor,” theksoi ai.