Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas postimit të motrës së Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit nga Elbasani që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës së djeshme në Tiranë.

Rama ka sqaruar se nisma për dërgimin e të riut në Itali për trajtim të specializuar mjekësor është marrë prej tij personalisht, ndërsa transporti me avion mjekësor drejt Romës dhe të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga shteti.

Sipas kryeministrit, ai e ka takuar 28-vjeçarin dhe vëllanë e tij në sallën VIP të aeroportit, përpara nisjes drejt Italisë, ku u ka uruar shërim të shpejtë.

Rama thekson se reagimi i tij nuk ka të bëjë me protagonizmin, por me humanizmin, duke argumentuar se edhe personat e plagosur gjatë protestave duhet të marrin ndihmën dhe trajtimin e nevojshëm mjekësor.

“Kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar”, shkruan Rama, duke i uruar edhe një herë shërim të shpejtë Erjon Vishkullit.

Deklarata e plotë e Edi Ramës:

“Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.

Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë ‘persona’, po e kam marrë unë personalisht dhe vajtja e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve, janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!

Madje i kam uruar të shkuara përpara se të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisemi për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.

Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar.”