
Partia Demokratike ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama, refuzoi apelin e Komisionerit për Zgjerim në BE, Oliver Varhelyi, për të pritur qëndrimet e Komisionit të Venecias për Kodin Zgjedhor.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, thotë se ky refuzim ‘brutal’ i Ramës vë në rrezik integrimin evropian të vendit, ndërsa shton se shqiptarët nuk i kanë atij borxh ‘pengmarrjen e vendit’.
“Refuzimi brutal i Edi Ramës ndaj apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi është një tjetër dëshmi që për Partinë Socialiste interesi i mafias është mbi interesin e Shqipërisë”. Thotë Bardhi mes të tjerash.
Reagimi i plotë:
Shqiptarët nuk i kanë borxh Edi Ramës pengmarrjen e Shqipërisë. Refuzimi brutal i Edi Ramës ndaj apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi është një tjetër dëshmi që për Partinë Socialiste interesi i mafias është mbi interesin e Shqipërisë. Asnjë Kryeministër më parë nuk ka vënë në rrezik integrimin europian të Shqipërisë dhe nuk ka sfiduar hapur Bashkimin Europian për llogaritë e tij politike të ditës.