Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me renditjen e Shqipërisë në klasifikimin ndërkombëtar për sigurinë kibernetike, duke vënë theksin te ndryshimet e ndërmarra pas sulmit masiv kibernetik të vitit 2022.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka shpërndarë një artikull të Euronews, ku pasqyrohet renditja e Shqipërisë dhe zhvillimet në fushën e sigurisë kibernetike.
Sipas kryeministrit, Shqipëria kryeson klasifikimin global me 98.33 pikë nga 100, duke u renditur përpara vendeve me kapacitete të avancuara teknologjike, mes tyre Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Rama e ka lidhur këtë rezultat me masat e marra pas sulmit kibernetik të vitit 2022, për të cilin autoritetet shqiptare kanë akuzuar Iranin. Sipas tij, pas incidentit është forcuar kuadri ligjor, është centralizuar mbrojtja kibernetike dhe janë rritur kapacitetet institucionale për përballimin e kërcënimeve digjitale.
Kryeministri përmendi gjithashtu bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe investimet në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, reagimin ndaj incidenteve dhe luftën kundër krimit kibernetik.
“Sulmi i vitit 2022 mund të na kishte gjunjëzuar. Ne e kthyem atë në një shtysë për transformim”, shkruan Rama, duke e paraqitur renditjen si dëshmi të ndryshimit të bërë në këtë sektor.
Reagimi i kryeministrit vjen një ditë pasi ai iu përgjigj kritikave dhe dyshimeve të ngritura në lidhje me rezultatet e indeksit, duke vijuar kështu debatin publik mbi pozicionin e Shqipërisë në renditjen ndërkombëtare.
