Sali Berisha zhvilloi një takim me mbështetësit e Partia Demokratike e Shqipërisë në degën numër 5 në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar nga opozita, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.

Kreu demokrat deklaroi se Rama “riktheu kafazin në sallën e gjyqit”, duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj kreut të Partia e Lirisë, Ilir Meta.

Sipas Berishës, kryeministri ka urrejtje personale ndaj Metës dhe po përdor institucionet për të goditur kundërshtarët politikë.

Takimi u zhvillua në kuadër të organizimit të protestës së opozitës dhe mobilizimit të strukturave të Partisë Demokratike në kryeqytet.

“Çdo i ri ka ëndërr, çdo i ri kudo që jeton ka ëndërr ta ndërtojë ëndrrën në Tiranë, në kryeqytetin e vendit të vet. Ose të ndërtojë biznesin aty ku është, të begatohet. Por ëndrra për të rinjtë bëhet krejtësisht e pamundur.

Së pari, i pret mesatarja, e cila e pret si me kosë, i largon që në gjimnaz nga Shqipëria. Së dyti, mbarojnë, nuk gjejnë punë. Së treti, nuk mund të blejnë shtëpi. Ky vend, ky kryeqytet i bekuar ka çmimet më të larta në Europë të apartamenteve. I duhet të punojë një shekull një i ri që të blejë një apartament.

Jo, merr rrugët e dheut, e merr ëndrrën e tij të bukur, e merr projektin e tij të mrekullueshëm për Shqipërinë e nesërme dhe merr rrugët.

Të gjitha këto, sepse një organizatë kriminale e drejtuar nga Edi Rama mendon vetëm e vetëm për plaçkitjen, vjedhjen e pasurive, fondeve të qytetarëve shqiptarë. Të gjitha këto vetëm e vetëm se miliarderët e drogës, kriminelët e damkosur sjellin miliardat në kullat e krimit dhe korrupsionit, kullat e drogës. Blejnë kate e kate të tëra. Atëherë për të riun nuk mbetet asgjë, mbeten vetëm rrugët e botës.

Ndaj dhe qëndrimi juaj, që nuk u nënshtruat, nuk u mposhtët, është një qëndrim i bekuar, është një qëndrim për të cilin çdo shqiptar do t’u jetë gjithmonë mirënjohës.

Çfarë është ky qëndrim? Ky qëndrim para së gjithash është qëndrimi i shqiptarit, qëndrimi i qytetarit që ndjen përgjegjësi për familjen e tij, për qytetin e tij, për vendin e tij. Nuk ka forcë më të madhe se sa përgjegjësia e qytetarit për qytetin. Se sa përgjegjësia e shqiptarit për vendin e tij.

Në këtë kontekst, ju pa asnjë dyshim jeni elita e vërtetë e këtij kombi. Po, elita më eprore e kombit.

Këtë ta ketë të qartë çdo shqiptar se ju nuk pajtoheni me të keqen, se ju ngriheni kundër të keqes, se ju doni të ndahet vendi nga e keqja. Dhe e bëni këtë në kushte shumë të vështira.

Ju, me qëndrimin tuaj, në momente kritike, kur projekti Shqipëria pa opozitë nga Edi Rama, që ka trashëguar moralin të etërve të tij vrasës, dhe që këtë moral e ka shndërruar në moralin e qeverisjes së tij tani, plotësisht, e patë ju vetë Ilir Metën, ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti. Si çdo njeri tjetër, me plus minuset e veta. Por ka një gjë. Ne u ndamë nga koha e kundërshtarëve në kafaz. Ajo ishte koha e Enver Hoxhës, diktatorit më brutal.

Ai i sillte në kafaz kundërshtarët politikë në sallën e gjyqit. E riktheu Edi Rama kafazin në sallën e gjyqit, ndërkohë që vrasës serialë po në atë burg festojnë çdo natë me pije, kokainë dhe orgji të tjera.

Po pse kafazi? Sigurisht, ai e urren Ilir Metën, por ai urren qytetarët në radhë të parë. Ai do që qytetarët të tremben sa më shumë. Kurse ju nuk trembeni. Ju nuk jeni trembur. Ju u ngritët në kohëra kritike për të mbajtur në Shqipëri opozitën, për të pasur Shqipëria një opozitë jo të kontrolluar nga qeveria, jo fasadë por një opozitë të vërtetë si zëri i ndërgjegjes dhe moralit të këtij kombi”, u shpreh Berisha.