Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për investimet strategjike dhe projektin në Zvërnec, këtë herë nga Mali i Zi, ku publikoi një video nga kompleksi turistik Porto Montenegro.
Në mesazhin e tij, Rama tha se ndodhej rastësisht në një projekt që, sipas tij, dikur ishte propozuar edhe për Shqipërinë, por nuk u realizua. Duke bërë krahasime me zhvillimet turistike në vendet fqinje, ai theksoi se Shqipëria nuk duhet të humbasë mundësi të ngjashme investimi.
“O çuna goca, na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti”, shkroi Rama krahas videos së publikuar në rrjetet sociale.
Kryeministri shtoi se nuk duhet të përsëriten gabimet e së kaluarës dhe se Shqipëria duhet të ecë përpara me projektet që, sipas tij, sjellin zhvillim ekonomik dhe e afrojnë vendin me standardet europiane.
Deklarata vjen në një kohë kur protestat kundër projektit turistik në Zvërnec po vijojnë për të pestën ditë radhazi, me qytetarë dhe aktivistë që kërkojnë ndalimin e investimit dhe mbrojtjen e zonës së mbrojtur.
