Projekti i ri kombëtar “OSHEE Charge”, një shërbim i ri publik për karikimin e mjeteve elektrike, konsiderohet një tjetër hap për të shkuar drejt energjisë së pastër dhe transportit të qëndrueshëm.
Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, morën pjesë sot në prezantimin e këtij projekti.
Rama vlerësoi se ky projekt do t’i japë jetë një qasjeje të re në aspektin e shërbimit publik për sa i përket OSHEE-së, e cila do ta shtrijë këtë kapacitet edhe në karikimin e mjeteve elektrike.
Kryeministri e konsideroi këtë një lajm shumë të mirë, i cili vjen në një moment shumë pozitiv për sektorin e energjisë.
“Sektori i energjisë është kthyer edhe në një sektor ku novacioni ka zënë hapësirën e vet dhe ku nuk punohet më me emergjencën e tmerrshme të ditës”, shtoi Rama.
Sipas tij, tani është krijuar hapësira për të menduar e punuar për të nesërmen, ndërkohë që vazhdon intensivisht edhe puna e përditshme.
