Partia Socialiste do të zhvillojë sot paradite mbledhjen e Asamblesë në kompleksin Xibraku në Tiranë, me punimet që pritet të nisin rreth orës 09:30. Pas miratimit të rendit të ditës, fjala do t’i jepet kryeministrit Edi Rama.

Pjesa kryesore e fjalimit të tij pritet të fokusohet tek sfidat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa në fund Rama do të prezantojë edhe emrat e kabinetit të ri qeveritar “Rama 4”. Pas fjalës së tij, anëtarët e Asamblesë do të kenë hapësirë për diskutime.

Ndërkohë, Komisioni Rregullator ka certifikuar me 3 vota pro dhe 2 kundër rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Nga këto zgjedhje, Partia Socialiste siguroi 83 mandate, ndërsa Partia Demokratike mori 50 mandate.

Gjithashtu, Partia Socialdemokrate arriti të ketë tre deputetë në Kuvend, ndërsa forcat e reja politike siguruan përfaqësim me nga një ose dy mandate:

  • Partia “Mundësia” e Agron Shehajt – 2 mandate
  • “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt – 1 mandat
  • “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit – 1 mandat