Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhënien e re të Shqipërisë me diasporën, duke njoftuar krijimin e një regjistri kombëtar për shqiptarët jashtë vendit që duan të investojnë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te protestat gjatë vizitave të tij jashtë vendit dhe incidentet me hedhjen e vezëve, duke ironizuar situatën dhe praninë e shqiptarëve në Policinë e Nju Jorkut.

“Kemi nisur të krijojmë një regjistër kombëtar të Diasporës, për të gjithë ata që duan të investojnë sadopak në Shqipëri. Ky ndryshim që ka ndodhur në këtë marrëdhënie, s’ka ndodhur thjesht aty ku ta rrok syri, por ka ndodhur në mendësi. Tani jeta është shumë më organike dhe pjesë e atij organiciteti ishin edhe vezët që m’u hodhën mua. Madje, një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë. Shpresoj të ketë kaluar mirë me Policinë e Nju Jorkut. Në trupën e mbrojtjes pastaj që u angazhua në çdo event, ishte një shqiptar që shërben në Policinë e Nju Jorkut. Prandaj unë u ndodha komplet në shtëpi, edhe Policia, edhe protestuesit.”

Rama u ndal edhe te pritja që iu bë gjatë vizitës, duke përmendur një tortë me ngjyrë rozë dhe dy flamingo në formë zemre.

Në vijim, kryeministri e lidhi ndryshimin e Shqipërisë edhe me mënyrën se si vendi trajton sot natyrën dhe kafshët, duke deklaruar se vendi nuk është më ai i dikurshmi.

“Shqipëria nuk vuan më tani faktin që zogjtë dhe kafshët vriten dhe askush nuk shqetësohet për to. Shqipëria e sotme nuk është më Shqipëria në nevojë për ndihma. Sot Shqipëria ka hapur një derë të re, derën e maleve të saj.”