Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku në fokus ishte siguria euroatlantike, forcimi i bashkëpunimit mes vendeve aleate dhe roli i Shqipërisë në kuadër të Aleancës.
Sipas njoftimit zyrtar nga Agjencia për Media dhe Informim, gjatë takimit u diskutua për sfidat e sigurisë, veçanërisht kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Palët vlerësuan rëndësinë e një bashkërendimi më të madh mes vendeve anëtare për përballimin e këtyre rreziqeve.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte zhvillimi i Korridorit VIII si një korridor i mobilitetit ushtarak, që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe konsiderohet i rëndësishëm për lëvizshmërinë dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s në krahun juglindor. Në këtë kuadër u diskutua edhe projekti i Porto Romanos dhe potenciali i tij për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore e logjistike në mbështetje të Aleancës.
Gjatë takimit u rikonfirmua gjithashtu se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë, në vijim të vendimit të marrë nga vendet anëtare.
Organizimi i këtij samiti do ta vendosë Shqipërinë në rolin e vendit mikpritës të forumit më të lartë politik të Aleancës, ndërsa Ballkani Perëndimor pritet të jetë pjesë e diskutimeve për sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik.
Shqipëria, si anëtare e NATO-s, riafirmoi angazhimin për forcimin e partneritetit transatlantik dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të mbrojtjes kolektive.
