Qytetarët janë rikthyer sërish në rrugë për të kundërshtuar projektin turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, duke zhvilluar protestën e pestë radhazi në qendër të Tiranës.

Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit u mblodhën nën sloganin “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”, për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë.

Gjatë protestës nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. “Rama të japë dorëheqjen” dhe “Shqipëria nuk shitet” ishin disa nga sloganet e artikuluara nga pjesëmarrësit.

Protestuesit kanë theksuar se lëvizja e tyre është qytetare dhe jashtë ndikimit të partive politike, duke përsëritur edhe thirrjet që janë dëgjuar në protestat e mëparshme kundër të gjithë klasës politike.

Tubimi vjen një ditë pas tensioneve të shënuara përpara Kryeministrisë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën ujë për të shpërndarë turmën. Pavarësisht kësaj, qytetarët kanë vijuar mobilizimin e tyre kundër projektit në Zvërnec.