Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar në Kuvend pretendimin se pagat e magjistratëve duhet të rriten automatikisht sa herë që qeveria ndërhyn në nivelin e pagave për kategori të tjera. Sipas tij, gjyqtarët dhe prokurorët kanë përfituar më herët një rritje shumë të madhe në raport me nivelin e përgjithshëm të pagave në Shqipëri.

Rama tha se ky vendim ishte marrë në kuadër të reformës në drejtësi, me synimin që sistemi i ri të kishte magjistratë të mirëpaguar dhe të motivuar. Ai argumentoi se ndërhyrja e atëhershme ndryshoi ndjeshëm hierarkinë tradicionale të pagave në administratën dhe institucionet publike.

“Kemi rritur pagën e magjistratëve në një mënyrë stratosferike për normat dhe nivelin e pagave tona”, deklaroi Rama, duke theksuar se kjo ishte bërë me vullnet politik dhe si pjesë e transformimit të sistemit të drejtësisë.

Sipas kryeministrit, fakti që pagat e kategorive të tjera rriten nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht një rritje paralele edhe për magjistratët. Ai e cilësoi të paarsyeshme logjikën sipas së cilës çdo ndryshim në pjesën tjetër të piramidës së pagave duhet të shoqërohet me një tjetër rritje për gjyqtarët dhe prokurorët.

Rama përdori tone kritike ndaj këtij interpretimi, duke thënë se zbatimi i tij në vazhdimësi do të krijonte një sistem ku pagat e gjyqtarëve do të qëndronin gjithmonë mbi çdo kategori tjetër, pavarësisht zhvillimeve në pjesën tjetër të sistemit.

“Sa herë t’u rritet të tjerëve, do të më rritet edhe mua, sepse cenohet cilësia ime e jetës, është lajthitje në objekt”, u shpreh kryeministri.

Një pjesë të fjalës së tij Rama ia kushtoi edhe garancisë kushtetuese që lidhet me pagën e gjyqtarëve. Ai argumentoi se ndalimi i uljes së pagës është parashikuar për të mbrojtur pavarësinë e drejtësisë nga ndërhyrjet apo presioni i pushteteve të tjera.

Sipas tij, qëllimi i kësaj mbrojtjeje është që një pushtet politik të mos mund të përdorë uljen e pagave si formë presioni ose hakmarrjeje ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për vendimmarrjen e tyre.

Megjithatë, Rama kundërshtoi interpretimin se mosrritja e pagës së magjistratëve në të njëjtën masë me kategoritë e tjera mund të konsiderohet një “ulje e fshehtë” e saj.

Kryeministri argumentoi se magjistratët vazhdojnë të qëndrojnë në nivelet e sipërme të piramidës së pagave dhe se, për këtë arsye, rritja e pagave të kategorive të tjera nuk përbën në vetvete ulje të pagës së tyre.