Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste këtë të enjte, Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së pushteteve dhe ka kritikuar disa veprime të prokurorëve.

Rama tha se hetimet po cenojnë ekuilibrin mes ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit, teksa theksoi se ndërhyrjet e gjyqësorit në punët e ekzekutivit dhe legjislativit janë të papranueshme dhe mund të paralizojnë aftësinë e institucioneve për të funksionuar normalisht. Rama ka nënvizuar se liria dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor duhet respektuar, por nuk mund të përdoret për të cenuar funksionimin e institucioneve të tjera.

“Lëvizje sportive të prokurorëve, të cilët janë turrur në garën për mandate në krye të SPAK-ut, duke prerë fletëarreste në tufë për çështje që në rastin më të mirë nuk janë çështje penale dhe në rastin më të keq hetohen në gjendje të lirë, siç ishte rasti i Durrësit, ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit. Ndërkohë nuk u kursye as një punonjëse model e shtetit, 5 vjet në luftë me kancerin dhe me fëmijën dy muajsh në gji, apo duke shpërndarë fletëthirrje për paraqitje në prokurori në sasi të mëdha, siç ishte rasti problematik për një ndërtues pa leje në Tiranë, të cilit i është konfiskuar ndërtimi për të strehuar agjensi shtetërore. Ai ka kallëzuar shtetin përmes prokurorisë, dhe prokuroria ka hapur çështje penale për punonjësit e shtetit që bënë procesin për të futur punonjësit e shtetit në godinën e ndërtuar pa leje.

Do më thonë se kam ndërhyrë në punët e drejtësisë, por në asnjë mënyrë jo. Do them një të njëmijtën e atyre që kam për të thënë për ndërhyrjet e gjyqësorit në punët e ekzekutivit dhe legjislativit bashkë, sepse janë të pajustifikueshme. Tre pushtetet janë të pavarura nga njëri-tjetri dhe nuk duhet të ndërhyjnë njëri-tjetrit në punët përkatëse. Ne ia dhamë pavarësinë reale pushtetit gjyqësor dhe unë nuk bëhem kurrë pjesë e lloj-lloj ‘bombash artizanale’ që kurdisen nga prokurorë lart e poshtë në Shqipëri, të cilët dehen nga shija, u mjegullohet arsyeja, errësohen sytë dhe krijojnë drejtime që cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera, duke shkelur minimalisht liritë dhe të drejtat e njeriut dhe maksimalisht, ka edhe më keq. Prandaj, rreziku në këtë aspekt nuk është që ne të cenojmë pavarësinë e gjyqësorit, por që gjyqësori të paralizojë aftësinë e pushteteve të tjera për të funksionuar. Kjo ka ndodhur në vende të tjera dhe nuk është e panjohur, por nuk mund të ndodhë në këtë vend, sepse ky vend nuk ka luksin të frenohet e jo më të ribëhet aty ku ishte”, tha Rama.