Kryeministri Edi Rama në konferencën për mediat pas përfundimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, u ka kërkuar falje ambasadorëve të vendeve të BE e SHBA në Tiranë, të cilët sipas tij u sulmuan nga opozita.
"Jo vetëm faleminderit por edhe ndjesë, shumë ndjesë për këdo nga miqtë e huajt që u bënë objekt i sulmeve personale, poshtë shtëpisë dhe nga dritaret televizive të atyre që na turpëruan të gjithëve si vend dhe si popull", tha Rama.
Sipas kryeministrit pas pak nis një ditë e re që e gjen Shqipërinë të çliruar nga busulla e mbrapshtë e muajve të fundit, "por kjo nis me një betejë të rëndë për rregullimin e marrëzisë së betejës politike".
"Populli shqiptar nuk e meriton gjithë çka pa dëgjoi dhe meritoi në muajt që dukeshin si vite. Që dukej sikur do të shqyente dhe ndante në copa trupin e vendit. Zgjedhësit e këtij vendi pa dallim krahine e partie nuk e meritonin. Ky vend nuk e meriton atë zullum të zi që u hodh në pasqyrat mediatike në botë, në zbatim të një plani të lajmësve pa parti për një qamet që nuk ndodhi", theksoi shefi i qeverisë.