Një skenë e pazakontë është regjistruar paraditen e sotme përpara godinës së Kryeministrisë, ku janë vendosur disa karrige të ngjashme me ato që përdoren në ambientet e institucionit.

Mbi secilën prej tyre është vendosur një letër me mbishkrimin “Dialog”, një mesazh që duket se synon t’u përcjellë protestuesve ftesën për bisedime.

Sipas informacioneve të raportuara, vendosja e karrigeve është bërë me nismën e kryeministrit Edi Rama, në vijim të thirrjeve të përsëritura të tij dhe anëtarëve të qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të protestuesve përmes dialogut.

Kreu i qeverisë ka theksuar më herët se nuk do të pranojë negociata nën presionin e dhunës, duke përjashtuar mundësinë e diskutimit për dorëheqjen e tij apo përmbushjen e kërkesave të tjera në kushtet e protestave të dhunshme.

Ky gjest simbolik përpara Kryeministrisë vjen në një moment tensionesh politike dhe protestash, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ftesa për dialog do të marrë një përgjigje nga protestuesit.