Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si “një partner të vështirë”, ndërsa ka folur edhe për nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën sipas tij shumë e konsideruan një ide të gabuar për shkak të personave që e promovuan.
Në një intervistë për median serbe “Euronews Serbia”, Rama tha se nisma do të ishte pritur ndryshe nëse nuk do të lidhej me emrin e tij dhe të Vuçiçit.
“Ishte një ide e tmerrshme vetëm për një arsye, se unë dhe Vuçiç ishim pas saj. Nëse do të hiqnim emrat tanë dhe do t’i zëvendësonim me, të themi, pesë të tjerë, do të konsiderohej një ide e shkëlqyer. Kështu funksionon gjithçka në Ballkan”, u shpreh kryeministri.
Gjatë intervistës, Rama vlerësoi edhe përparimin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke theksuar transformimin që ka pësuar vendi në vitet e fundit.
“Merita është e denjë. Mali i Zi ka qenë i jashtëzakonshëm në mënyrën se si është transformuar, nga një anije e lidhur me kontrabandën në një nëndetëse të verdhë që të gjithë e pëlqejnë. Ua heq kapelën; e respektoj këtë. Ata kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por vetëm kjo nuk mjafton”, deklaroi Rama.
Në intervistën, e cila pritet të transmetohet e plotë mbrëmjen e së martës, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh gjithashtu se Evropa ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Evropian.
