Kreu i PD, Sali Berisha ka zhvilluar edhe ditën e sotme në Foltoren para Kryeministrisë, nga ku ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 8 majit. Berisha paralajmëroi se jeta politike e Ramës po bëhet gjithnjë edhe më e vështirë. teksa akuzoi kryeministrin për lidhje me mafien.
“Edi Rama e ndjen këtë, ka një panik të madh, ka një tmerr nga qytetarët. Dy ditë më parë në Dibër u bëri thirrje socialistëve të Dibrës të na mbroni nga këta dhe ata, me atë gjuhën e tij prej ordineri, pra e ndjen veten të përfunduar. E ndjen të përfunduar se e ka shumë të qartë se nuk ka qytetarë dibranë, nuk ka qytetarë shqiptar që mund të mashtrohet dhe mund të pranojë moralin e hajdutit të Edi Ramës. Nuk ka dibran, nuk ka shqiptar që nuk konstaton se jeta e tij bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Se xhepat e tij zbrazen gjithnjë e më shumë. Se çmimet e dyqaneve rriten vazhdimisht. Se e ardhmja për fëmijët e tij në Shqipëri bëhet e pamundur. Ndaj dhe kërkon mbrojtje.
Ne ftojmë shqiptarët, ne ftojmë çdo qytetar shqiptar të bashkohemi në këtë betejë vendimtare. Kjo betejë është vendimtare. Ne nuk do pranojmë kurrë që ky person që mund t’i vësh 100 epitete, të mbajë peng shqiptarët dhe Shqipërinë. Ne kemi një program, së pari t’u kthejmë dinjitetin shqiptarëve, të votojnë si qytetarë të lirë. Askush më mirë se ne, që kemi vuajtur diktaturën më të egër nuk e di se gjithçka fillon me votën e lirë. Dhe ne, të gjithë sa jemi këtu, mijëra e mijëra të tjerë, të bashkohemi si luftëtarë të votës së lirë, si misionarë të votës së lirë.
Edi Rama kërkoi mbrojtje në Dibër, në një kohë kur Dibra është boshatisur si kurrë në historinë e saj. Jo vetëm Dibra, por pothuajse e gjithë Shqipëria rurale është bërë si pothuajse e paqenë. Është vendosur në hapësirën e ekzistencës apo mosekzistencës së saj. Sot, mijëra qytetarë nga Dibra, nga Korça, nga Tropoja, Kukësi, Shkodra, vrapojnë të blejnë naftën në vendet përreth. Vrapojnë të bëjnë pazaret në vendet përreth sepse Shqipëria është vendi me rrogat më të ulëta dhe çmimet më të larta. Është vendi i shndërruar në koston më të lartë të jetesës dhe të papërballueshme.
Atëherë kush mund ta mbrojë Edi Ramën sot? Askush. Por Edi Ramën nuk e mbrojnë dot as socialistët. E mbron vetëm mafia që ndan me ta krimin. Dhe mos harroni se ajo parti është themeluar mbi krimin, ka vazhduar mbi krimin dhe sot është e pushtuar nga krimi.
Socialist të ndershëm që e mbron atë, nuk ka. Qytetar të ndershëm që e mbron atë, nuk ka. Shqiptar të ndershëm që i thotë vetës shqiptar dhe mbron atë, nuk ka. Nuk ka pasur antishqiptar më të hapur pas Enver Hoxhës se Edi Rama. Imagjinoni pak, cila ishte pozita e Beogradit në vitin 2013 dhe si e ndihmoi ky që dele të zezë të bëjë Prishtinën dhe të nxjerrë Beogradin si konstruktiv, shërbëtori i Vuçiçit. Nuk e harrojnë shqiptarët këtë. Nuk e harrojnë shqiptarët kurrë shpalljen e veriut të Kosovës si tokë e askujt. Nuk harrojnë shqiptarët kurrë projektin e shtrirjes së shtetit serb në Kosovë, të asociacionit që thotë ky. Nuk harrojnë shqiptarët kurrë kërcënimin që i bëri me Vuçiçin dhe Putinin Kosovës se do përfundojnë në kohën e bronzit. Nuk harrojnë shqiptarët kurrë zhdukjen e Kosovës nga harta e Ballkanit të Hapur dhe paraqitjen e saj si territori i Serbisë. Nuk harrojnë shqiptarët kurrë sanksionet që vendosi ndaj qeverisë së Kosovës dhe Kosovës ky bastard vetëm për të zbatuar urdhrat e Beogradit. Nuk harrojnë shqiptarët kurrë Ballkanin e Hapur që shkatërroi bujqësinë shqiptare dhe tregun shqiptar.”- tha Berisha.
