Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm mbrojtjen e saj kibernetike pas sulmit të vitit 2022, të mbështetur nga Irani, ndërsa ndihma amerikane prej 25 milionë dollarësh ka dhënë rezultate konkrete në përballimin e kërcënimeve ndaj rrjeteve qeveritare dhe infrastrukturës kritike. Ky është vlerësimi i Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e paraqitur në Kongresin amerikan për sigurinë e infrastrukturës dixhitale në vendet në zhvillim.

Në një seksion të veçantë, të titulluar “Forcimi i sigurisë kibernetike shqiptare pengon sulmet iraniane”, DASH e paraqet Shqipërinë si një shembull të rezultateve të mbështetjes amerikane në këtë fushë.

Sipas raportit, Shtetet e Bashkuara ndihmuan Shqipërinë t’i përgjigjen sulmit të vitit 2022 me një paketë shumëvjeçare ndihme prej 25 milionë dollarësh, e cila u shoqërua me trajnime, këshillim dhe mbështetje për forcimin e strukturave shqiptare të sigurisë kibernetike.

Konsultimet e mëtejshme amerikane në vitin 2023 ndihmuan qeverinë shqiptare të përcaktonte objektivat strategjikë për mbrojtjen kibernetike. Deri në prill të vitit 2024, vendi miratoi ligjin për sigurinë kibernetike dhe ngriti Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe Informacionin.

Një nga rezultatet që DASH vlerëson është funksionimi i dy qendrave operacionale të sigurisë. E para mbron rrjetet qeveritare, ndërsa e dyta është përgjegjëse për mbrojtjen e rrjeteve të infrastrukturës kritike.

Këto struktura, sipas autoriteteve amerikane, kanë një rol në paralajmërimin e hershëm të kërcënimeve, duke ndihmuar edhe SHBA-në të përmirësojë sigurinë e saj kibernetike dhe të identifikojë kërcënimet që lidhen me Iranin.

DASH vlerëson reagimin ndaj sulmeve në spital dhe Bashkinë e Tiranës

Efektet e ndihmës amerikane, sipas raportit, u panë edhe në mënyrën se si autoritetet shqiptare përballuan dy incidente kibernetike gjatë viteve 2024 dhe 2025.

Në tetor të vitit 2024, një incident preku një spital të madh shqiptar, ndërsa në qershor të vitit 2025 u goditën rrjetet e Bashkisë së Tiranës.

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se në të dyja rastet qeveria shqiptare veproi shpejt dhe me efektivitet për të frenuar sulmet dhe për të kufizuar dëmet.

Për Uashingtonin, mënyra e reagimit ndaj këtyre dy incidenteve tregon ndikimin që ka pasur mbështetja amerikane në forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë.

Shqipëria ka ende nevojë për ndihmë

Edhe pse vlerëson përparimin e bërë, Departamenti Amerikan i Shtetit pranon se Shqipëria ka ende nevojë për mbështetje për të zhvilluar më tej përvojën e saj në sigurinë kibernetike.

Një tjetër zhvillim që pasqyrohet në raport është anëtarësimi i ekipit shqiptar të reagimit ndaj incidenteve kibernetike në FIRST, një rrjet ndërkombëtar që bashkon ekipet e sigurisë për shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin ndaj kërcënimeve.

Shqipëria është mes 11 vendeve që, gjatë periudhës 2016–2025, arritën të anëtarësonin ekipet e tyre kombëtare në këtë rrjet me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe bashkëpunimin me Institutin e Inxhinierisë së Softuerit.

Ky bashkëpunim u mundëson vendeve pjesëmarrëse të shkëmbejnë informacione me homologët amerikanë dhe të identifikojnë më herët kërcënimet kibernetike.

Siguria dixhitale dhe konkurrenca me Kinën

Raporti i DASH nuk kufizohet vetëm te sulmet kibernetike, por trajton edhe përpjekjet e SHBA-së për të zgjeruar përdorimin e teknologjive amerikane dhe të aleatëve në vendet në zhvillim.

Në dokument, Departamenti i Shtetit e lidh sigurinë dixhitale edhe me konkurrencën teknologjike dhe ekonomike me Kinën.

Sipas DASH, qeveria kineze, përmes kompanive si Huawei dhe ZTE, përdor praktika jotregtare dhe kushte financimi që i nxisin vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të zgjedhin teknologjinë kineze, duke krijuar varësi prej saj dhe duke kufizuar hyrjen e kompanive amerikane në këto tregje.

Për këtë arsye, SHBA synon të mbështesë vendet partnere në përdorimin e teknologjive që i konsideron të sigurta dhe të besueshme, si dhe në forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës dixhitale.

kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote