Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të futur në rend dite diskutimet për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë. Kërkesa u rrëzua me arsyetimin se raporti është ende në fazë projekti dhe pritet të miratohet nga Parlamenti Europian.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se diskutimi mund të presë deri javën e ardhshme, ndërsa s’mund të miratohet pa e bërë vetë Parlamenti Europian.
“PE këtë dokumentin do ta miratojë vetë në 16 ose 17 qershor sepse e ka miratuar Komisioni dhe do ta miratojë parlamenti. Na kërkohet ta miratojmë ne para se ta bëjë PE. Ne jemi shumë të gatshëm, por e kemi planifikuar javën tjetër më 14 maj. Kjo historia për të marrë këtë 2-minutëshin këtu, kjo nuk shkon. E para na bën qesharakë se do të presim ta miratojë PE. Besoj se do të jemi një delegacion nga ne në PE. Projektrezoluta e kaluar me 55 vota pro, 7 kundër, 7 abstenim të martën, rëndësi ka që të ruajmë edhe seriozitetin institucional. E mirëpresim diskutimin sapo ky dokument të miratohet”, tha Balla.
