Një tjetër anë e rëndësishme e raportit të trafikimit të Drogës nga rajoni i Ballkanit është përfshirja e grupeve shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në klanet e krimit të organizuar.
Bëhet fjalë për ekzistencën e grupeve të fuqishme të shqiptarëve në viset etnike, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës etj.
Raporti i Nismës Globale përmend disa herë grupet e shqiptarëve jashtë kufijve që janë pjesë e grupeve të narkotrafikut.
Duke folur për nisjen e fuqizimit të këtyre grupeve, raporti thekson: “Në mes tyre ka pasur edhe disa kriminelë me emër, si në rastin e Princ Dobroshit. Kosovari ishte një nga trafikantët kryesorë të drogës dhe transportonte heroinë nëpër korridorin ballkanik në Republikën Çeke, dhe prej andej në vendet nordike. Ai u arrestua në Pragë, në shkurt 1999, dhe më pas u ekstradua në Oslo (ku ishte arratisur nga burgu në vitin 1997). Më pas u lirua me kusht ‘për sjellje të mirë’, dhe u urdhërua të largohej nga vendi në janar 2005. Thuhet se është kthyer në Kosovë. Një element tjetër që shpjegon arsyen përse Republika Çeke u kthye në një zonë problematike në lidhje me grupet kriminale nga Ballkani ishin lojërat e fatit.
Që nga vitet 90, Çekia përdorej nga grupet e krimit të organizuar për pastrimin e parave të pista nëpërmjet pikave dhe kompanive të lojërave të fatit. Sipas ish-zëvendës ministrit të finances Ondrej Zavodski lojërat e fatit në Republikën Çeke nuk ishin të rregulluara me ligj deri në vitin 2017. Përpara reformës së sektorit të lojërave të fatit, në Republikën Çeke kishte më shumë se 6,000 pika për lojëra fati, dhe më shumë 70,000 makina
lojërash elektronike. Ky aktivitet tërhoqi një sere personash me të kaluar kriminale, duke përfshirë Qazim Osmanin (që ishte një nga themeluesit e kompanisë së lojërave të fatit Banco Casino).
Sidoqoftë, Pavla Holková thotë se nuk ka më edhe aq shumë nevojë që bizneset e lojërave të fatit të përdoren si mekanizma për pastrimin e parave të pista. Kjo vjen si pasojë e pozicionit që kanë fituar strukturat e krimit të organizuar nga vendet e Ballkanit perëndimor brenda rrjeteve globale të krimit të organizuar.
Këto grupe mund të përdorin fare lehtë rrjete ndërkombëtare për pastrimin e parave të pista dhe nuk kanë pse i mbajnë brenda Republikës Çeke. Grupe kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë pasur lidhje me Turqinë që nga vitet ‘70 dhe ‘80. Në atë kohë, persona nga ky rajon përdoreshin si shoferë dhe transportues në trafikimin e drogës, dhe Ballkani përdorej si rajon tranzit, për ripaketimin dhe shpërndarjen e drogave.
Disa raste kanë treguar se shqiptarët e Jugosllavisë (ashtu quheshin shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut), ishin angazhuar si ndihmës në trafikimin e heroinës dhe bazë morfine nga Turqia, nëpër Jugosllavi dhe Bullgari, deri në Itali”.
Ndërkaq, raporti flet edhe për aktivitetin e këtyre grupeve në kohët e fundit e konkretisht në trafikimin e kokainës. “Në qershor 2019, Michael Dokovich, një shtetas i Malit të Zi me origjinë shqiptare, u arrestua pasi 600 kilogramë kokainë u kapën në një avion privat Gulfstream në Bazel, Zvicër që vinte nga Uruguai (me një ndalesë në Nisë).293 Ndihmësi i tij, Pero ‘Pjer’ Sharac (Šarac) u arrestua pasi vajti tre herë në Amerikën e Jugut në vitin 2018, dhe mendohet se gjatë këtyre vizitave organizonte dërgimin e ngarkesave me kokainë.294 Operacioni Familia, që u organizua nga DEA dhe EUROPOL, solli arrestimin e 16 personave. Është interesant fakti se pesë nga arrestimet u kryen në Azi. Mendohet se trafikantë nga Ballkani organizojnë dhe koordinojnë trafikimin në rrugë detare të ngarkesave shumë kilogramëshe me kokainë, kryesisht në Amerikën Latine.
Një grek dhe një shqiptar u arrestuan in Guayaquil në vitin 2018, ndërsa mundoheshin të trafikonin drogë në Evropë dhe Australi me një anije me vela. Darko Shariç gjithashtu përdorte jahte, dhe përdorimi i këtyre mjeteve lundrimi u përmend edhe në rastet e analizuara në kapitujt mbi Afrikën e Jugut dhe Turqinë. Një numër personash nga Ballkani perëndimor (veçanërisht
serbë) janë arrestuar vitet e fundit duke trafikuar kokainë me jahte (që njihen edhe si narcovelero, apo narko-jahtet) nga Amerika Latine në Evropë, duke kaluar nga ishujt Azore, apo edhe nga ishujt Kanarie.
Për shembull, në maj 2015, katër serbë u arrestuan në ishujt Azore pasi në anijen e tyre u gjetën 1,150 kilogramë kokainë. Në qershor 2019, 797kilogramë kokainë u konfiskuan pranë ishujve Azore në një anije që duket se ishte marrë me qira nga një grup kriminal serb.
Po kështu, duket se, që nga viti 2018, Australia ka filluar të bëhet destinacion për trafikimin e kokainës nga Ekuadori. Amerika Latine është kthyer në një zonë problematike në lidhje me përfshirjen e grupeve nga Ballkani perëndimor në trafikun e drogës.
Nga informatat e mbledhura së fundmi duket se kjo tendencë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Për shembull, sipas një burimi të afërt me strukturat anti-drogë në Ekuador, 160 shqiptarë hynë në atë vend gjatë vitit 2018, dhe 20 prej tyre mund të kenë qenë trafikantët droge, ndërsa një burim nga policia kolumbiane tha se kanë vënë re një “rritje të pajustifikuar” në hyrjen e shtetasve shqiptarë në Kolumbi.
Nga ana tjetër, së shpejti mund të ndryshojnë edhe pikat e hyrjes: në janar 2020 Shqipëria dhe Guyana (në kufi me Brazilin dhe Venezuelën) nënshkruan një marrëveshje për heqjen e vizave. Kërkesa dhe oferta për kokainë mbetet e lartë, ndonëse edhe sasia e konfiskuar vazhdon të rritet. Nuk është e qartë nëse kjo vjen nga puna më e efektshme e forcave të ruajtjes së rendit apo është thjesht një pasqyrim i rritjes së sasisë së drogës në qarkullim.
Pikat e dobëta dhe mangësitë që shfrytëzohen nga grupet kriminale nga vendet e Ballkanit perëndimor në Amerikën Latine duket se nuk do të zhduken edhe aq shpejt, dhe po kështu edhe volumi i trafikut të konteinerëve drejt Evropës perëndimore ka shumë pak gjasa që të bjerë (edhe në kushtet e pandemisë COVID-19).
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.