Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu tha sot se ngjarja e djeshme ku zjarri vrau dy anëtarë familjeje, mes të cilëve një fëmijë, teksa një i tretë po fëmijë po lufton me vdekjen në spital, është një tragjedi fatkeqe.

Sipas tij, Bashkia do ndihmojë më tej me të gjitha shpenzimet, teksa familja në fjalë ka qenë në ndihmë sociale dhe merrte të gjitha shërbimet.

“Një situatë e vështirë jo vetëm për ne si institucion por për të gjithë qytetarët e Maliqit, të cilët shprehin ngushëllimet për familjen. Shpresojmë që vajza të bëhet mirë, i urojmë shërim të shpejtë dhe patjetër që bashkia do të jetë në mbështetje të familjes me të gjitha mundësitë që ne kemi, për ta mbështetur financiarisht por jo vetëm. Do të jemi çdo ditë krah kësaj familje. Qyteti sot është në zi të plotë. E ngushëlloj familjen, i jap forcë në emër të pushtetit vendor dhe le të shpresojmë që vajza të bëhet mirë.

Të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me ceremoninë por jo vetëm, do të mbulohen nga bashkia. Unë do të marr disa nismën time personale me bizneset sepse aty do të jetë ndërhyrja më e shpejtë, për të mos pritur procedurat ligjore, që ndonjëherë zgjatin shumë. Rasti është i veçantë dhe ne duhet të ndërhyjmë sa të kemi mundësi. Nga informacioni që kam, familja ka qenë pjesë e shërbimit social dhe e qendrës komunitare që ne kemi aty. Nuk besoj që ne nuk mund të kemi pasur ndihmat e nevojshme, rasti është fatkeq”, tha ai.

Në fund shpjegoi se ka raste të ngjashme që Bashkia i trajton sipas ligjit, por sipas tij, ky është jo vetëm detyrim ligjor, por edhe kambanë alarmi për të gjitha institucionet.

“Ne kemi raste të shumta të tilla që i trajtojmë, i mbështesim dhe kështu do të vazhdojmë. Këto raste nuk janë vetëm detyrim ligjor por duhet të jenë kambanë alarmi për të gjitha institucionet. Ky do të jetë rast që do na japë forcë më shumë për të marrë masa më të rrepta e më të gjera për t’i mbështetur”, përfundoi ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djehsme, ku zjarri nisi në një dyshek me sfungjer, në banesnë e familjes ku ndodhej nëna me dy fëmijët e mitur. Të ndjerët janë Luka Hazisllari, 14 vjeç, dhe nëna e tij, Mejreme Hazisllari, të cilët humbën jetën nga asfiksia dhe plagët e marra në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve. Ndërkohë, vajza 6-vjeçare e familjes, Nefeli Hazisllari, ndodhet në gjendje të rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.