Senatorja demokrate në Shtetet e Bashkuara, Elissa Slotkin, ka reaguar për situatën e tensionuar dhe aktet e dhunës të regjistruara ditët e fundit në Shqipëri, pas shqetësimeve të shprehura nga qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Slotkin theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore dhe kërkesa për llogaridhënie nga zyrtarët e zgjedhur janë elemente thelbësore të demokracisë.

Ajo bëri të ditur se ka marrë telefonata nga banorë të Miçiganit, të shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës.

“Gjatë ditëve të fundit, kam marrë një sërë thirrjesh të shqetësuara nga banorë të Miçiganit lidhur me dhunën në përshkallëzim në Shqipëri, mes vendeve të tjera evropiane. Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë paqësisht dhe të kërkojë llogari nga zyrtarët e tyre të zgjedhur”, u shpreh senatorja.

Reagimi i Slotkin vjen në një kohë kur protestat në Shqipëri vijojnë prej nëntë ditësh, me pjesëmarrjen e studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve, ndërsa në orët e mbrëmjes janë regjistruar edhe episode dhune pranë Kryeministrisë.