Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke deklaruar se respektojnë vendimin e gjykatës.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për “Radion Evropa e Lirë” se Uashingtoni mbështet drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe parimet e llogaridhënies, procesit të rregullt ligjor dhe sundimit të ligjit.
SHBA u ka bërë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë dhe respektojnë vendimin e gjykatës, duke kërkuar gjithashtu shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, deklaroi zëdhënësi amerikan.
Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i krijuar me ligj të Kosovës dhe funksionojnë me gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë ndërkombëtarë.
