Lufta e Sirisë
Një marrëveshje me qeverinë do t’i lejojë të largohen nga qyteti i rrethuar prej dy vjetësh
Luftëtarët e opozitës janë lejuar të tërhiqen nga pjesët e rrethuara të qytetit sirian të Homsit, sipas një marrëveshjeje me qeverinë, bënë të ditur rebelët, ndërsa qeveria nuk ka komentuar.
Rebelët që luftojnë për rrëzimin e diktatorit Bashar al Assad do të lejohet të kalojnë përmes pozicioneve të armikut dhe të kalojnë në pozicionet e tjera të rebelëve në Veri të qytetit. Luftëtarët kanë rezistuar në zonat përreth pjesës së vjetër të qytetit përgjatë dy viteve të fundit, kur kanë qenë nën rrethim. Më herët këtë vit një pjesë e civilëve u lejua të largohet.
Vëzhguesi i Sirisë për të drejtat e njeriut, një grupim me bazë në Britaninë e Madhe, tha se rreth një mijë luftëtarë pritet të dorëzojnë qytetin sipas kushteve të armëpushimit.
Qyteti ka parë luftimet më të përgjakshme përgjatë tri viteve të konfliktit. Ushtria e Sirisë pritet të marrë kontrollin e qyteteve, pasi rebelët të largohen.
“Tërheqja nuk ka nisur ende dhe nën termat e marrëveshjes, ata që largohen do të jenë në gjendje të mbajnë armatimet e veta”, tha për median një aktivist në qytet.
Një grup gazetarësh të huaj thanë se qyteti ishte në mënyrë të pazakontë i qetë, pa të shtëna armësh.
Homsi është një pikë strategjike në rrugën mes Damaskut dhe bregdetit të Mesdheut dhe është konsideruar kryeqendra e protestave të vitit 2011 kundër Bashar al Assad, para se të kthehej në fushëbetejën më të ashpër të luftës civile.
Ushtria e Sirisë ka organizuar shumë ofensiva në përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit, por nuk ka qenë e suksesshme. Ofensiva e fundit nisi në prill. Por, disa nga rebelët, kanë njoftuar se nuk dëshirojnë të largohen dhe duan të luftojnë deri në fund.