[callout]Ngjarjet kyçe
Rebelët – Rebelët rrëzuan dy helikopterë ukrainas, duke sugjeruar se ata disponojnë armatime moderne dhe ushtarakë profesionistë. Kievi thotë se po përballet me ushtrinë e Rusisë
Qeveria – Ukraina nisi operacionin më të mirorganizuar ushtarak kundër rebelëve deri tani dhe deklaroi se ka vrarë shumë prej separatistëve duke arritur sukses, por jo aq sa shpresonte
Ushtria e re – Kievi ka krijuar forca të reja ushtarake me emrin Garda Kombëtare, pasi ushtria e mëparshme gjerësisht refuzoi të luftojë kundër rusëve. Trupat e rinj duken më të vendosur tani
Rusia – Ushtria e Rusisë besohet gjerësisht se është e aftë të pushtojë Ukrainën, në rast se Putini jep urdhrin, por mbajtja e pushtuar konsiderohet një operacion tepër i kushtueshëm[/callout]
Kievi nis një fushatë të re ushtarake, por nuk arrin të tregojë fuqi reale në kontrollin e territorit
Rebelët prorusë rrëzuan dy helikopterë të Ukrainës dje, duke vrarë dy anëtarë ekuipazhi, ndërsa ushtria ukrainase vendosi nën rrethim dhe sulmoi qytetin e Sllavianskut, i cili kontrollohet nga rebelët, ndërsa Moska akuzoi Kievin se ka nisur një sulm “kriminal” që ka rrënuar shpresat për paqe.
Megjithëse forcat ukrainase duket se kanë nisur operacionin e tyre më të koordinuar ushtarak deri tani, avancimi i tyre në terren ishte i kufizuar. Gjithsesi, zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin të Rusisë akuzoi Kievin se ka hapur zjarr ndaj civilëve nga ajri, në një “operacion ndëshkues”, që i dha fund planit ndërkombëtar të paqes.
Rusia tha se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” për fatin e rusëve në qytet, përfshirë një diplomat të dërguar për bisedime për lirimin e pengjeve perëndimore.
Gjuha dramatike e përdorur duket se ka ngritur krizën në një nivel tjetër. Moska ka dhjetëra mijë trupa të përqendruar në kufi dhe pretendon se ka të drejtë të pushtojë, në rast se i del nevoja për të mbrojtur rusishtfolësit.
Një gazetar i “Reuters” në Sllaviansk, qyteti më i fortifikuar në duart e separatistëve prorusë, dëgjoi të shtëna në mëngjes dhe pa një helikopter që hapi zjarr. Dhjetë orë më vonë, qyteti ishte i heshtur, dyqanet e mbyllura dhe separatistët kontrollonin rrugët.
Forcat ukrainase po avancojnë me mjete të blinduara dhe kanë zënë pozicione në periferi, por rebelët vijojnë të kontrollojnë shumicën e qytetit me 130 mijë banorë.
Separatistët sulmuan dhe kapën dje një qendër rajonale të kontrollit të trafikut të trenave në Donetsk, tha një zyrtar hekurudhash. Ata ndërprenë furnizimin me energji dhe praktikisht ndaluan trafikun e trenave.
Kievi tha se rrëzimi i helikopterëve të saj me raketa sugjeron se forcat ruse janë të pranishme në qytet. Moska mohon të ketë trupa në Ukrainë.
Gjithsesi, gjuha e ashpër e Kremlinit shton mundësinë që Rusia të ndërhyjë për të kapur territor në Ukrainë para se rebelët të zhvillojnë referendumin e njoftuar prej tyre më 11 maj, i cili synon të krijojë një situatë të përshtatshme për aneksim nga Rusia.
Në sheshin kryesor të Sllavianskut, rreth 100 njerëz u mblodhën dje duke i bërë thirrje Putinit të dërgojë trupa për t’i mbrojtur.
Pasdreke, Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandar Turkinov, deklaroi se operacioni ushtarak ka shkaktuar vdekjen e shumë separatistëve, por shtoi se operacioni nuk po ecën siç pati shpresuar. Ai pretendon se gjysma e qytetit të Sllavianskut sakaq ka rënë në duart e qeverisë, por situata në terren mbetet e paqartë.